Rama apel gjykatësve: Mos vazhdoni me avazin e pandëshkueshmërisë për zjarrvënësit

Zjarri i qëllimshëm në një zonë të pyllëzuar në Laç është shuar pas më shumë se 20 orësh përpjekje. I cilësuar si një ndër zjarret më të vështira për t’u kontrolluar, u desh ndërhyrja e disa strukturave të ministrisë së Mbrojtjes nga toka dhe ajri dhe angazhimi i zjarrfikësve nga disa qytete që vatrat të shuhet plotësisht.  

“Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike që prej të Mërkurës, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorohet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor. Gjithashtu është bërë e mundur shuarja e një vatre zjarri pranë superstradës Milot-Lezhë.”

Ministra e Mbrojtjes thotë se në territor mbeten ende disa vatra aktive zjarri.

Në fshatin Treblovë, në Selenic zjarri rrezikoi djegien e 4 banesave, por ndërhyrja nga ajri bëri të mundur neutralizmin e flakëve në kohë.  

Ndërsa për vatrat e zjarrit në fshatin Sinanaj, në bashkinë Tepelenë,

në fshatin Grazhdan, në bashkinë e Finiqit vijon puna për shuarjen e tyre.

Zjarret gjatë ditëve të fundit në shumicën e rasteve kanë pasur autorë të dyshuar të cilët po procedohen për zjarrëvenie të qëllimshme.

Për fenomenin e zjarrvënies së qëllimshme kryeministri Rama ka falenderuar policinë për vënin në pranga të autorëve dhe i ka kërkuar drejtësisë të veprojë kundër tyre pa hezitim.

“Apel në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg.”

Ai shprehu mirënjohje për ushtrinë dhe zjarrfikësit që po përballen me flakët në këto ditë Gushti ndërsa zjarrvënien e qëllimshme e konsideroi si krim të neveritshëm.

Klan News