Vendimi i Suedisë për të mos vendosur kufizime dhe për të mos aplikuar karantinën, shkaktoi vdekjen e shumë qytetarëve. Ky fakt është pohuar nga mjeku epidemiolog Anders Tegnell, njeriu që qëndron pas vendimit politik të qeverisë.

Ai ka pranuar se Suedia ka një shkallë të lartë të vdekshmërisë nga koronavirusi Covid-19, ndryshe nga vendet e tjera fqinje.

Deri tani në Suedi kanë humbur jetën 4252 persona dhe 40.803 të tjerë janë të infektuar. Ndërsa Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda që aplikuan masat bllokuese kanë numër shumë më të ulët të viktimave.

Në Danimarkë kanë vdekur 580 pacientë, në Norvegji 237 dhe në Finlandë 321.

“Nëse do të përballemi sërish me të njëjtën sëmundje, duke ditur ato se çfarë dimë deri sot, mendoj se do të zgjidhnim të bënim diçka të ndërmjetme rreth asaj që aplikoi Suedia dhe pjesa tjetër e botës”, tha epidemiologu Tegnell gjatë intervistës në një radio suedeze.

Megjithatë ai ishte i paqartë kur u pyet se çfarë duhet të kishte bërë ndryshe Suedia gjatë pandemisë.

Vendimi Suedisë për të mos aplikuar mbylljen dhe kufizimet si shtetet e tjera ka qenë vazhdimisht i diskutueshëm nëse ishte masa e duhur ose jo. /tvklan.al