Kikia: Në 21 Shtator kishte dy aktorë shumë të rëndësishëm që dhanë garanci

Shumë prej jetëve të humbura në Thumanë, për Mentor Kikinë nuk janë të viktima të tërmetit, por të shtetit. I ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”, Kryeredaktori i Klan Plus tha se 23 viktimat në Thumanë jetonin në dy godina të kalbura, të nxjerra teknikisht jashtë përdorimit dhe të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit. Për gazetarin, fajtor është shteti, që i lejoi këto familje të qëndronin në këto ndërtesa.

“Unë do të doja të thoja që shumë prej atyre viktimave, nuk janë viktima të tërmetit, janë viktima të shtetit. Në Thumanë, kanë vdekur 23 njerëz në dy godina të kalbura. Janë prishur janë çarë, janë dëmtuar shtëpi të tjera, nuk është plagosur asnjë njeri. Në Thumanë 23 njerëz, një bilanc i tmerrshëm tragjedie, në dy godina të kalbura të ndërtuara në 1975, të lagura nga rrjedhjet e ujit, të nxjerra teknikisht jashtë përdorimit, të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit, të konstatuara prap jashtë shërbimit dhe askush nuk shkoi t’i evakuonte ata njerëz, t’i çonte në një stallë kuajsh vetëm të mos i lejonte të futeshin më aty. Njerëzit në pamundësi për një strehim tjetër, futën kokën dhe u shembën. Nuk është tërmeti fajtor këtu, ato godina do të shembeshin një ditë, edhe thjeshtë nga një erë. Viktima të tjera këtu, nuk janë absolutisht të tërmetit dhe këto, në atë zonë duhet godinat të durojnë shumë më tepër sesa kaq. Janë viktima të abuzimit me ndërtimin, absolutisht po.

Kikia tha se pas tërmetit të 21 Shtatorit, kishte dy aktorë shumë të rëndësishëm që dhanë garanci. Duke i drejtuar gishtin në studion e “Opinion”, fajtori i parë sipas tij është Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, i pranishëm gjithashtu në studio. Faktori tjetër ishin inspektorët e shtetit, të cilët sipas Kikisë mbyllën sytë para shumë ndërtimeve.

Ka një gjë dhe më të rëndë. Pas tërmetit të 21 Shtatorit, shumë godina aty pësuan dëmtime. Askush nuk shkoj t’i vendoste shiritin pallatit, fare. E kemi ndjekur në Klan Plus një muaj rresht më mbrapa, pallate të çara, të shkalafitura, kolona të dëmtuara, njerëzit të pataksuar brenda dhe askush nuk shkoi. Ky zotëria këtu ka dalë ka thënë ndërtimet tona janë të sigurta. U kolauduan dhe nuk kanë probleme, ndërkohë pallatet e plazhit ishin të tëra të çara. Ky e ka thënë e kemi të filmuar.  Inspektorët e shtetit, për të mos ngarkuar barrën financiare me dëmshpërblime mbyllën sytë para shumë dëmtimeve dhe treçerekun nuk i dokumentuan fare, sot ato u shembën. Nëse do i ishin vënë shiritat atyre banesave dhe shteti nuk do i kishte lënë njerëzit të ishin futur me dhunë, se prandaj është shteti, nuk do kishin vdekur ata njerëz atje”./tvklan.al