Gazetari Artan Hoxha u shpreh se ka informacion se maxhoranca po merr një nisëm për ta hequr me ligj detyrimin e betimit tek Presidenti.

Në debatin për ngërçin kushtetues në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoxha tha se shumë shpejt do ta shohim në Parlament këtë ligj për miratim, ndërsa iu drejtua me disa pyetje ish-presidentit Bujar Nishani.

Hoxha: A mund të funksionojë KED dhe pa Dvoranin?

Nishani: KED nuk mund të funksionojë dhe pa Dvoranin, por nuk është ajo arsyeja që thatë ju, që mund të ngrijë për shkak fillimit të hetimit penal se KED ka afat vetëm një vjeçar, dhe anëtarët që kanë shërbyer nuk kanë të drejtë rikandidimi…

Hoxha: A mund të funksionojë SPAK pa bërë betimin tek Presidenti, sepse kam dëgjuar që maxhoranca po merr një nisëm për ta hequr me ligj betimin e tek Presidenti, shumë shpejt do ta shikoni në Parlament.

Nishani: Nëse është e vërtetë do të thotë që e keni marrë përgjigjen, pra është e detyrueshme betimi tek Presidenti. Unë mendoj se nuk do të ishte normale që të pengohej betimi tek Presidenti që SPAK të fillonte sa më shpejt. Sepse ata të cilët janë të frikësuar dhe tentojnë të bllokojnë funksionim e SPAK janë krimi i organizuar, politika e lidhur me krimin e organizuar dhe qeveritarët e korruptuar.

Deklaratën e Hoxhës e ka mbështetur edhe juristi Çlirim Gjata, i cili dukej se kishte të njëjtin informacion. /Tvklan.al