Shumë shpejt, pagesat do të bëhen me dorë

Shumë shpejt, pagesat do të bëhen me dorë

22:55 08/09/2019

Amazon thuhet se po zhvillon një sistem të ri pagese, që do t’i lejojë konsumatorët të paguajnë vetëm duke lëvizur dorën.

Gjigandi i shitjeve online po teston skanera që përdorin teknologji biometrike për të identifikuar njerëzit nga forma dhe madhësia e dorës, me shpresën që ta prezantojë këtë risi në fund të këtij viti, në dyqanet Whole Foods.

Sipas asaj që shkruan New York Post, këto sensorë po testohen nga vetë punonjësit e Amazon në makinetat e firmës, në zyrat e saj në New York.

Duke lidhur të dhënat biometrike me kartën e kreditit apo të debitit të një personi, konsumatorët do të mund të paguajnë lehtësisht, duke ndihmuar kështu uljen e radhëve të gjata nëpër supermarkete.

Fillimisht këtë shërbim do të mund ta përdorin vetëm ata që kanë një llogari në Amazon Prime, duke qenë se të dhënat e tyre të pagesës janë të ruajtura në Amazon.

Konsumatorët do të kenë nevojë vetëm që të futen në llogaritë e tyre në Amazon me anë të smartphone-eve kur të shkojnë në dyqan, përpara se një seri kamerash dhe sensorësh të njohin automatikisht se çfarë produktesh kanë futur në çantën e tyre apo koshin e pazarit.

Në momentin që largohen, paratë do të zbriten automatikisht nga karta e konsumatorit./tvklan.al

Të ngjashme