Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi rama u sshpreh përballë gazetarëve se Bashkimi Europian i ka vënë në dispozicion Shqipërisë një kalendar për negociatat. Sipas këtij kalendari, deri në dhjetor të vitit 2027 duhet të mbyllen të gjitha negociatat. Siç shprehet kryeministri, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka marrë këtë kalendar nga BE.

Neritan Sejamini e pyet për mënyrën sesi do të realizohen të gjitha kërkesat që BE ka brenda këtyre 2 vjetëve nëse s’janë realizuar në 12 vjet. Tonet mes tij e kryeministrit tensionohen ndërsa Rama ngulmon se çështjet për të cilat  ka nevojë për më shumë kohë,  nuk do të shtyjnë anëtarësimin.

Neritan Sejamini: Si do i bëni këto gjëra në 3 vjet që si keni bërë në 10, 12 vjet? Pyetja ime është: në qoftë se s’keni bërë gol në 90 minuta, si do të bëni 10 gola në minutën e fundit? Çfarë do të bëni ju që të  mos shkojnë mandarinat e dezinfektuara në Kroaci? Çfarë strukture do të krijoni ju për këtë gjë? E dyta merr kë të duash, merr çfarë të duash ti, merr një nga detyrat që ju janë vënë juve është kadastra.

Edi Rama: Më lër të të jap një përgjigje! Po ke një orë pyetje!

Neritan Sejamini: Po flas për detyrat që duhet të bëni!

Edi Rama: Do të na numërosh gjithë detyrat që na ka dhënë Bashkimi Europian?

Neritan Sejamini: Patjetër. T’i them, pse…

Edi Rama: Po e morëm vesh pyetjen!

Neritan Sejamini: Duhet dixhitalizuar kadastra, duhen paguar vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të gjitha pronat që Shqipëria ka humbur qeveria dhe kanë fituar privatët…

Edi Rama: Çfarë thotë ky mo vëlla? Pyetjet!

Neritan Sejamini: Pyetja ime është: kur s’i bëtë 12 vjet, si do e bëni në 2 vjet?

Edi Rama: Ja ta jap unë përgjigjen që ta mësosh.

Neritan Sejamini: Po dëgjoj me kureshtje se dua ta mësoj.

Edi Rama: Ta mësosh diçka që ti nuk e di fare dhe po bën kompetentin kot. Në negociata ka edhe një negocim tjetër që për disa çështje të cilat ka nevojë për më shumë kohë.

Neritan Sejamini: E shtyn 5 vjet anëtarësimin.

Edi Rama: Jo, nuk shtyn anëtarësimin. Je i paditur!

Neritan Sejamini: Jo, jam shumë i ditur!

Edi Rama: Nuk shtyn anëtarësimin.

Neritan Sejamini: Do ta zbatosh 5 vjet pas anëtarësimit.

Edi Rama: Atëherë pse e bën pyetjen?

Neritan Sejamini: Po të pyes, si e keni planni, do ta shtyni?

Edi Rama: Jo, nuk do të shtyjmë asgjë!

Sipas kryeministrit, çdo detyrë e  ndërmarrë  përsipër do të realizohet.

Edi Rama: Përgjigjja është: të gjitha ato që janë marrë përsipër për t’u realizuar do të realizohen..

Neritan Sejamini: Si?

Edi Rama: Nuk të jap përgjigje fare! Do rri të të them ty si do të realizohen?! A je në vete a s’je në vete?/tvklan.al