Pas konstituimit të legjislaturës së re është në diskrecionin e presidentit që të dekretojë kandidatin për kryeministër. Pas dekretimit, ekzekutivi i ri i Kosovës duhet të votohet brenda 15 ditësh.

LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve nuk mund ta formojë e vetme qeverinë e re, pasi për këtë gjë i duhen 61 vota. Por, disa nga partitë e komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe, janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë me ekzekutivin e ri.

Vetë lideri i LVV-së, Albin Kurti, më 3 mars deklaroi se ai mëton që ta formojë qeverinë me deputetë të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar mundësinë që në koalicionin qeverisës të përfshihen partitë shqiptare dhe Lista Serbe.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e donë të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, tha Kurti, gjatë një konference për media nga Tirana.

Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49.95 për qind të votave, Partia Demokratike ka fituar 16.90 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.07 për qind të votave./REL