“Qeveria miraton masat për institucionet e reja”

Kur ka nisur testimi i kandidatëve që do të përbëjnë strukturën e re të posaçme anti korrupsion, qeveria në mbledhjen e kësaj të mërkure ka miratuar procedurën që do të ndiqet për ruajtje së gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka parashikuar jo vetëm mënyrën sesi do t’ju sigurohet mbrojtja anëtarëve të këtyre dy organeve të reja që ngrihen si pjesë e Reformës në Drejtësi, por dhe familjarëve të tyre.

Si drejtuesi i SPAK ashtu dhe ai i BKH do të kenë në dispozicion një oficer dhe një nënoficer që do t’i shoqërojë, ndërsa për prokurorët e tjerë të këtyre 2 strukturave, në rast se do të vlerësohet se kanë kërcënime për jetën, mund të kenë mbrojtje për ata dhe familjarët e tyre, banesat duke parashikuar dhe eskortë.

Por që të merret një vendim i tillë duhet më parë që të vlerësohet kërkesa nga komisionet e posaçme, që përbëhet nga një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme, një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Oficerët e caktuar për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, familjeve dhe banesave të tyre, nuk zëvendësohen pa marrë paraprakisht miratimin e kryetarit të gjykatës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, apo drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Me një tjetër VKM, qeveria ka miratuar dhe rregullat e hollësishme për garantimin e sigurisë në mjediset ku do të vendosen SPAK dhe BKH.

Tv Klan