Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se PS është e gatshme të komunikojë me PD dhe LSI, por sipas tij aktualisht ka vetëm një autokrizë të krijuar nga opozita për nevojat e saj të brendshme.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, se si do t’i përgjigjej mazhoranca ftesës së Presidentit, nëse kreu i shtetit do i ftonte në një tryezë për të zgjidhur ngërçin, Balla tha: “

Asnjëherë nuk mungon nga ana jonë dëshira, vullneti dhe gatishmëria për të komunikuar me PD dhe LSI. Kemi disa çështje për të cilat është i rëndësishëm bashkëpunimi, jemi gati të ulemi për reformën zgjedhore dhe të jetë gati për zgjedhjet e 30 Qershorit. Zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të zhvillohen, por ato do të zhvillohen në 21, 22 ose 23 Qershor të vitit 2021.

Ajo që është shumë e rëndësishme të dimë është që nuk bëhet fjalë për djegie. Është një dorëzim individual i mandateve të çdo deputeti. Nuk ka nevojë të marrësh as miratimin e Kryesisë së Partisë dhe as të Këshillit Kombëtar për këtë çështje. Nëse ata e kanë seriozisht këtë çështje, unë kam dyshime dhe bindje të brendshme se kjo nuk do të ndodhë, do të ketë një dorëheqje kolektive mandatesh, e cila nuk ka vlerë kushtetuese. Ky është një proces që do të zgjasë disa muaj, edhe ata që vijnë janë përfaqësues të opozitës. Dua të jeni korrektë edhe ju si media, se e kam dëgjuar shpesh partitë e opozitës, dy parti të opozitës kanë mandate në Kuvend, PD dhe LSI.

Balla tha se zgjedhjet e vitit 2017 ishin të mira dhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga ato zgjedhje është i plotë. “

Këtë e konfirmon raporti përfundimtar i zgjedhjeve në Shtator të vitit 2017. Askush nuk ka vënë në dyshim rezultatin. Arsyeja pse kthehet ky debat janë zgjedhjet e vitit 2019 dhe jo zgjedhjet e vitit 2017. Lulzim Basha ka frikë nga zgjedhjet. Nuk ka një krizë ku fajtorë janë të dy palët. Është një autokrizë e shkaktuar nga nevojat e brendshme të opozitës.

/tvklan.al