Personat që kanë qenë në vende me raste koronavirusi, siç është Italia dhe që vijnë në Shqipëri kuptojnë që janë infektuar nuk duhet të shkojnë në spital, por të vetëkarantinohen.

Eksperti Pëllumb Pipero tregoi në studion e “Opinion”, veprimet që duhet të bëjë një person që kupton që është infektuar me COVID-19. Sipas tij, nëse një individ është kthyer nga një vend i prekur me koronavirus dhe për një periudhë deri në 14 ditë ka temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje duhet të qëndrojë në shtëpi dhe fillimisht të vendosë një maskë.

Më pas duhet lajmëruar Urgjenca, pasi personi në fjalë nuk duhet të dalë nga shtëpia që të mos infektojë të tjerët.

“Indikatori i temperaturës, po jua them nga ana profesionale është minimalist, por është i nevojshëm për t’u aplikuar në kufi, por është minimalist për të kuptuar në kufi, është apo s’është me temperaturë. Ky person kaloi kufirin vajti në shtëpi. Brenda 3-4 ditësh, maksimumi brenda 14 ditësh deri tani, por ka të dhëna që periudha është edhe në 24 ditë, nëse gjatë kësaj periudhe ka temperaturë, kollë dhe vështirësi frymëmarrjeje, ky person menjëherë duhet të vendosë një maskë në rast se e ka dhe duhet të marrë në telefon Urgjencën kombëtare, 127-n. Në asnjë mënyrë të mos vrapojë të dalë nga shtëpi, të mos vrapojë të marrë autobusë, për të vajtur në spital, por të njoftojë se i vete spitali në shtëpi”, tha Pipero.

Eksperti theksoi se bëhet fjalë për persona që kanë ardhur nga vende me raste të shtuara me virus.

“Në rast se ka ardhur nga një vend ku ka numër të shtuar rastesh, siç është Italia, dhe brenda një periudhe dyjavore ka këto simptoma veçanërisht vështirësi frymëmarrje të marrë Urgjencën. Jemi në periudhë virozash stinore dhe nuk është e thënë që persona të tjerë të kenë shenja koronavirusi. Nëse ka ardhur nga një vend me raste duhet trajtuar si i tillë. Më mirë të dyshojmë dhe të hetojmë sesa ta neglizhojmë. Vjen Urgjenca dhe e verifikon”, tha ai.

Sipas Piperos, personi i infektuar duhet t’ia bëjë të qartë mjekut situatën që këta të fundit të shkojnë të përgatitur me veshjet përkatëse për ta marrë dhe për ta dërguar në infektiv./tvklan.al