Kryeministri Edi Rama vijon komunikimet virtuale me qytetarët në një kohë kur pjesa më e madhe e banorëve qëndrojnë të mbyllur në shtëpi për shkak të koronavirusit.

Në komunikimin e sotëm nga shtëpia e tij në Surrel, Rama ndau me qytetarët edhe një “sekret”, se si e kalon kohën gjatë qëndrimit mbyllur në këto ditë të vështira.

Shefi i qeverisë tha se joga e ndihmon për rregullimin e frymëmarrjes. Po kështu, edhe disiplinimi i vakteve ushqimore ndihmon për trupin.

“Sa më shumë të durosh, aq më pak të plagosur dhe viktima do të numërosh në javë, dhe largqoftë për ne, edhe në ditë. Prandaj miq, durim, durim, durim! Dhe meqë po rrijmë të tërë nëpër shtëpi dhe po luftojmë secili me ato zakonet e jetës së përditshme duke ngrënë veten për të mos bërë gjërat që jemi mësuar të bëjmë, duke u përpjekur të përfitojmë edhe pozitivisht nga disa të mira të kësaj të keqeje të madhe, po ju tregoj një nga gjërat që po bëj unë. Ushtrime frymëmarrjeje joga të thjeshta dhe ushqim vetëm në harkun e 8 orëve. Dy vakte me 16 orë agjërim. E kam me provë që është super për trupin dhe për mendjen. Kush të dojë në shtëpi jemi, le ta provojë dhe do më japë të drejtë”. /tvklan.al