Si e komenton opinionin e Venecias deputeti që firmosi shkarkimin e Metës

Si e komenton opinionin e Venecias deputeti që firmosi shkarkimin e Metës

23:37 30/09/2019

Nëse Venecia do të thoshte që Presidenti ka zbatuar Kushtetutën, pra nuk ka shkelje a do ta pranonte mazhoranca vendimin e Venecias apo do ta quanit lobim?

“Unë si pjesëtar i atij Komisioni Hetimor që ka një autoritet kuazi gjyqësor në veprimtarinë e tij, kam thënë gjithmonë, që raporti apo opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias do të çmohet në tërësi me të gjitha provat e tjera të administruara gjatë veprimtarisë së këtij Komisioni Hetimor”.

Kjo ishte përgjigja e deputetit socialist Adnor Shameti, i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Opinion, ku u fol për raportin paraprak të Komisionit të Venecias, sipas të cilit Presidenti Ilir Meta i tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese kur vendosi fillimisht të anulojë zgjedhjet e 30 Qershorit e më pas t’i shtyjë ato.

Deputeti Shameti u shpreh se Shqipëria prej vitesh gëzon asistencën e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe se i vinte mirë që Presidenti Meta e njohu autoritetin e këtij raporti.

“Komisioni i Venecias është një organ këshillimor i Këshillit të Europës, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria dhe është i përbërë nga një grup ekspertësh të së drejtës kushtetuese, ndihmën dhe asistencën e të cilëve ne e kemi pasur prezente në Shqipëri që nga hartimi i Kushtetutës në 98-n, për çdo problem ligjor dhe kushtetues. Mua më erdhi shumë mirë që Presidenti i Republikës e njohu autoritetin e raportit të Venecias dhe i tillë duhet të jetë qëndrimi edhe në përfundim me raportin përfundimtar”.

Shameti tha se gjuha që ka raporti paraprak i Komisionit të Venecias i jep zgjidhje kërkimeve që ka bërë vetë Komisioni Hetimor i ngritur nga mazhoranca.

“Unë si pjesë e grupit nismëtar prej 55 deputetësh që kemi nisur procedurën ligjore për shkarkimin e Presidentit, si dhe si pjesëtar i Komisionit Hetimor, dua të sqaroj që kemi qenë shumë të përgjegjshëm në artikulimin e një kërkese të tillë. Është rasti i parë dhe i vetëm në historinë post komuniste të Shqipërisë që bëhet një procedurë për shkarkimin e Presidentit”.

Blendi Fevziu: Në gjithë historinë e Shqipërisë, sepse nuk është kërkuar ndonjëherë shkarkim.

“Aq më mirë atëherë, në të gjithë historinë… Gjej rastin të bëj dhe një paralele me SHBA sepse jemi para një procedure impeachment për presidentin në detyrë. Kemi qenë shumë seriozë dhe shumë të përgjegjshëm në ngritjen e kësaj kërkese dhe ka qenë vetë Komisioni Hetimor që i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, pasi është ai që ka legjitimitetin të paraqesë kërkesë para Komisionit të Venecias, që e kemi ngritur këtë çështje, nga përgjegjshmëria dhe për hir të transparencës, që të jemi të qartë ne, të jetë i qartë gjithë opinioni publik, për atë shkelje kushtetuese”.

“Në bindjen tonë, gjuha që ka raporti paraprak i Komisionit të Venecias i jep zgjidhje atyre kërkimeve që ne kemi parashtruar. Kërkimi themelor është, a e ka shkelur apo nuk e ka shkelur Kushtetutën Presidenti i Republikës, me veprimet apo mosveprimet në vazhdën e zgjedhjeve të 30 Qershorit”./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT