Një aksident i rëndë ndodhi më 28 Dhjetor 2020 në fshatin Marinëz të Roskovecit, ku një makinë përplasi nënë e bijë, Zeqine Kasa 60 vjeç dhe Nertila Kasa 33 vjeç. Për shkak të plagëve të rënda, 60-vjeçarja ndërroi jetë në spital. Ndërsa vajza Nertila Kasa ka thyer dorën dhe ka pësuar goditje në trup.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka shkuar në vendin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka intervistuar familjarët. Bashkëshorti dhe djali i të ndjerës thonë se Zeqine dhe Nertila Kasa u përplasën nga Sokol Prifti 34 vjeç, punonjës i policisë bashkiake të Roskovecit.

Në deklaratën e saj, Policia e Fierit ka njoftuar se 34-vjeçari ishte në gjendje të dehur.

Ardian Kasa, djali i Zeqine Kasës dhe vëllai i Nertilës ka rrëfyer për gazetarin Koka të gjithë dinamikën e këtij aksidenti.

“Makina ka ardhur këtu (mbi trotuar). Frena nuk ka pasur. Shoferi ka qenë në një drekë të Bashkisë së Roskovecit. Dhe po kthehej për në shtëpi. Nëna dhe motra kanë qenë në trotuar me karrocë dore, kishin jonxh. Makina i ka goditur, motrën e ka hedhur në kanal dhe sipër motrës ka vajtur karroca e dorës. Nëna përfundoi tek shtylla. Sipas doktorit, tha që nëna ka ardhur 95% e vdekur. Ndihmën e parë ia ka dhënë vetë personi”.

Në vendin e ngjarjes, ka mbetur ende një pjesë e makinës tip Opel Astra që përplasi nënë e bijë.

Ndërkohë, bashkëshorti i të ndjerës, Tajar Kasa, ka qenë ndër personat e parë që shkoi në vendin ku automjeti i përplasi gruan dhe vajzën 50 metra larg shtëpisë.

“Para se të ndodhte kjo ngjarje unë dëgjova një zhurmë të madhe, tronditëse. Gjitoni më thërret ku e ke gruan. S’është këtu, i thashë unë. U ktheva dhe dola. Shoh njerëz këtu grumbull. Nuk dija asgjë. Pastaj shpejtova hapin. Kur vij këtu në këtë moment gjej gruan të shtrirë. Vajza po i rrinte te koka po qante. Vajza ishte e dëmtuar, por lëvizte. Ulem shkoj gjak, koka gjak. Nuk i pushonte hemorragjia. Shoferi bërtiste, o ç’më gjeti mua. E hipim në makinë, shkojmë deri afër Qafës së Stefanit. Bie makina fare, nuk punoi më fare. Gjatë kësaj rruge kërkoj 129, për ambulancën. Aty na vijnë dy policë me makinë. Atje kemi qëndruar çerek ore, nuk lëviznim dot. Erdhi ambulanca. Morën gruan dhe e çuam në spital. Rreth orës 23:00 hyri në sallë të operacionit”.

Gazetari Spartak Koka ka biseduar edhe me Nertilën, 33-vjeçare që vetë mbeti e plagosur në aksident.

Ai na vrau të dyjave. Mamaja u përplas në shtyllë. Vetë jam me krah të thyer. Unë mbaja karrocën, mamaja kishte kosën në sup. E pamë makinën. Unë përfundova në kanal. Më ngriti vetë drejtuesi. I fola mamit dy herë, nuk ktheu përgjigje. Unë dua drejtësinë time. Dorën e kam të thyer, nëna më iku, më la kështu”, thotë mes lotësh dhe dhimbjes Nertila Kasa. /tvklan.al