Me mbi 51 milion raste të koronavirusit në të gjithë botën, shkencëtarët kanë punuar gjatë gjithë kohës për të zhvilluar një vaksinë. Disa nga vaksinat e krijuara kanë filluar testimet tek pjesëmarrësit e guximshëm dhe tani një vullnetarët ka treguar përvojën e tij në provën e vaksinës Novavax.

Cammy Heggie, është një dizajner grafik nga Milngavie dhe një nga 10,000 vullnetarët që do të provojnë vaksinën NVX-CoV2372 të Novavax.

Duke folur për agjencinë Mirror, babai 47 vjeçar, ka treguar se si është të jesh vullnetar në provë të vaksinës kundër Covid-19, ai është shprehur me këto fjalë:

“Vajza ime sapo ka filluar universitetin dhe i duhet të mësojë në shtëpi. Jam mërzitur nga bllokimi dhe thjesht doja të bëja diçka që mund të na ndihmojë të gjithëve të kthehemi në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur. Isha lodhur duke pritur dhe doja të bëja diçka pozitive.”

Familja e tij, përfshirë bashkëshortja Kirsten, 44 vjeçare dhe fëmijët Gemma, 18 dhe Samuel, 15, fillimisht ishin të shqetësuar se si vaksina mund të ndikonte në shëndetin e tij.

Sidoqoftë, Cammy kishte besim që vaksina nuk paraqiste ndonjë  rrezik për të ose familjen e tij.

Ai më tej është shprehur se:“Unë thjesht e mendova se është për të mirën e njerëzimit, përse të mos e bëja?”

Vaksina Novavax përfshin dy injeksione, të cilat bëhen me një diferencë 21 ditore. Injeksioni i parë i Cammy ishte më 27 tetor, dhe tjetri do të jetë më 17 nëntor, pas së cilit ai do të monitorohet për 35 ditë.

Para se të merrte pjesë në provën e vaksinës, atij i ishin bërë dy teste të antigjenit dhe antitrupave, për t’u siguruar që nuk ishte pozitiv me koronavirus dhe nuk e kishte pasur më herët.

Fatmirësisht, deri tani Cammy nuk ka pasur asnjë efekt anësor. Ai ka thënë vetëm se ka pasur dhimbje në krah të cilat janë normale edhe pas një injeksioni të zakonshëm .

Rezultatet përfundimtare për efektivitetin e vaksinës Novavax, pritet të dalin në pranverë të vitit 2021./tvklan.al