Paratë e mbledhura nga tarifat e studentëve përdoren nga Universitetet për shërbime të ndryshme, por jo në funksion të studentëve dhe cilësisë së mësimdheniës. Pesë universitete publike kanë shpenzuar 0 lekë për punë dhe kërkime shkencore! Rezultati del nga një monitorim i “Qëndresës Qytetare”, e cila monitoroi për një periudhë 6-mujore, 7 nga universitetet publike në vend.

“Në 1.6 milionë Euro që këto Universitete kanë shpenzuar për investime siç janë rikonstruksionet, vetëm 0.9% e këtij buxheti ka shkuar për studime dhe kërkim shkencor”

, thotë Migen Qiraxhi.

Sipas monitorimit, Universiteti Politeknik i Tiranës renditet i pari me 3 milionë Euro të shpenzuara gjatë një periudhe 6-mujore, të përdurura për shpenzime të personelit dhe sigurim godine. Nga ky fond vetëm 13 mijë Euro janë përdorur për kërkim shkencor.

Më së shumti paratë e studentëve përdoren nga Universitetet për të blerë orendi dhe pajisje zyrash, për siguruar fizikisht godinat apo shpenzime të tjera. Po për blerjen e librave, 3 Universitete nuk kanë shpenzuar asnjë lek.

“Universiteti i Shkodrës ka shpenzuar 24 mijë Euro për një automjet dhe Universitete të tjera vazhdojnë të bëjnë shpenzime të pajustifikuara, siç është Universiteti i Korçës që ka shpenzuar 24 mijë Euro për 6 muaj për të blerë karburant”.

Monitorimi vë në dukje se shuma të mëdha të parave të studentëve shkojnë për pagesat e personelit jo akademik. Universiteti i Tiranës shpenzon 25% të të ardhurave për pagesat e stafit administrativ, Universiteti i Durrësit 41% dhe Universiteti i Vlorës 27%. Edhe një raport i KLSH në Dhjetor të 2018 i konsideronte te fryra stukturat organizative të Universiteteve.

Tv Klan