Si i shpëtoi drejtësisë Klement Çala – TV KLAN

Si i shpëtoi drejtësisë Klement Çala

U arrestua në 2015 në Vlorë, por u la i lirë nga gjykata

Klement Çala, një nga personat e dyshuar si të përfshirë në grabitjen e miliona eurove në pistën e Rinasit, ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare, edhe pse ishte në kërkim ndërkombëtar.

31-vjeçari Çala rezulton i shpallur në kërkim që prej vitit 2013 nga autoritete greke, pasi u arratis sëbashku me Admir Muratajn, pas arratisjes nga burgu i Trikalasë. Në vitin 2015, policia e arrestoi në Vlorë 31-vjeçarin sëbashku me një nga 4 të arrestuarit për supergrabitjen, Alkond Bengasin.

Në atë kohë, sipas vendimit të gjykatës që e disponon Televizioni Klan, policia ishte në kërkim të Bengasit, i cili ishte dënuar nga gjykata për përdorim dhe shitje narkotikësh. Pas identifikimit të tij, patrullat e policisë i bënë shenjë të ndalonte, por në timon nuk ishte Bengasi, por Klement Çala. Fillimisht ai nuk i ndaloi patrullës dhe përplasi makinën në një nga rrugët e Vlorës, por më pas u ndalua.

Veç kësaj, ai tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke u paraqitur si shtetas kosovar. Çala kishte siguruar një kartë identiteti, por edhe pasaportë kosovare të falsifikuar me emrin Semir Koca. Pas kontrollit në banesë në atë kohë, Çalës iu gjet një pistoletë, ndërsa ai tha para hetuesve se identitetin e rremë, por edhe armën e mbante për shkak të problemeve në Greqi.

Gjatë gjykimit në Vlorë, por edhe për shkak të pendesës, ndonëse në shtetin grek akuzohej për vrasje e grabitje, Klement Çala u dënua vetëm me 5 vite burgim. Nuk dihet cilat ishin arsyet që gjykatës nuk iu vu në dispozicion urdhri ndërkombëtar i kërkimit nga Greqia. Klement Çala qëndroi vetëm një muaj në paraburgim, pasi gjykata urdhëroi heqjen e arrestit me burg dhe lirimin e menjëhershëm të tij, duke e konvertuar burgimin me shërbim prove.

Tv Klan

Kategori
KronikeTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*



Emisione