Thumana në dhimbje, përcillen në banesën e fundit anëtarët e familjes Cara dhe Greku

Dhjetëra viktima shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit në Shqipëri. 23 të tillë janë shënuar vetëm në Thumanë, e cila është një prej zonave më të prekura nga lëkundjet.

Tashmë në Thumanë ka vetëm dhimbje. Gazetari Spartak Koka gjatë emisionit “Rudina” në Tv Klan bëri të ditur se sot është zhvilluar edhe ceremonia mortore për 9 prej viktimave.

Mes dhimbjes dhe lotëve janë përcjellë për në banesën e fundit në Thumanë anëtarët e familjes Cara dhe ata të familjes Greku. Ndërkohë e fejuara e 29-vjeçarit Almir Cara, Diastela Steneci, është varrosur në Korçë, atje ku kishte familjen.

Gazetari Koka solli detaje prekëse për familjen e Sajmir Grekut. I riu, arriti të dilte nga rrënojat, por vetëm disa orë më vonë humbi jetën në spital.

Sajmiri ka lënë pas një vajzë të vogël dhe bashkëshorten, të cilat i kanë shpëtuar tragjedisë. Ato kishin shkuar në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së Sajmirit vetë një ditë përpara tërmetit.

“Sot janë përcjellë për në banesën e fundit gjashtë prej pjesëtarëve të familjes Cara. E fejuara e Almir Carës është përcjellë në banesën e fundit në Korçë, aty ku kishte familjen e saj. Në çadra po punohet për t’u dhënë ndihmën personave të mbijetuar. Kjo është ceremonia mortore të familjes Cara, ku humbën jetën Fatmira Cara 54 vjeç, Almir Cara 29 vjeç, Erisa Cara 25 vjeç, Hasan Cara 18 vjeç. Ka shpëtuar vetëm babai nga i gjithë trungu familjar. Diastela Steneci 25 vjeç, Sadojana Hysa ose Hysa 21 vjeç dhe Anthi Cara 72 vjeç. Janë këto viktimat që janë përcjellë për në banesën e fundit ditën e sotme. Po ashtu kanë qenë edhe familja Greku, Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku. Është 31-vjeçari, për të cilën ne në transmetimin e datës 27 përcollëm pamjet kur u nxorr i gjallë nga rrënojat dhe disa orë më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve në Spitalin e Traumës.

Sajmiri ka lënë një vajzë të vogël, 1 vjeç e gjysmë dhe bashkëshorten. Ka qenë fat për ta pasi një ditë më parë kishin ardhur në Tiranë, pastaj në Dibër tek prindërit e bashkëshortes dhe kanë shpëtuar. Kemi edhe një material tjetër të të afërmve të Sajmir Grekut të cilët thonë se Zoti bëri mrekulli, të paktën nuk i mori gocën Saimirit. Ishte fat që goca e vogël nuk u ndodh në banesë në momentin e fundit”, tha Koka.

Viktimat nga familja CARA

Fatmira  Cara 53 vjeç

Almir Cara 29 vjeç

Erisa Cara  25 vjeç

Hasan Cara 18 vjeç

Diastela Steneci 25 vjeç

Sadajana Hysa (Cara) 21 vjeç

Anthi Cara 72 vjeç

Viktimat nga familja GREKU

Pëllumb Greku 57 vjeç

Çelike Greku 57 vjeç

Sajmir Greku  31 vjeç

Deri tani numërohen 49 viktima nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Raportohet për 45 të shpëtuar dhe 790 të lënduar./tvklan.al