Nikola Gruevski kaloi nga pika kufitare e Hanit të Hotit drejt Malit të Zi si pasagjer në një makinë të ambasadës hungareze në Tiranë. Automjeti drejtohej nga shoferi i ambasadës dhe sëbashku me ish-Kryeministrin maqedonas aktualisht në kërkim ndërkombëtar, udhëtonte edhe një punonjës i ambasadës hungareze.

Lajmi bëhet i ditur nga Departamenti  i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.

“Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin  me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë”,

thuhet në një njoftim të policisë për mediat

.

Kjo e fundit thotë gjithashtu se ditën kur ish-Kryeministri maqedonas kaloi nga kufiri shqiptar, pra më 11 Nëntor, ndaj tij nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim.

Njoftimi nga Interpol Shkupi, për shpalljen në kërkim ndërkombëtar iu është dërguar Interpol Tiranës më datë 13 Nëntor, rreth orës 19:35.

Mbetet e paqartë si dhe kur ka hyrë Gruevski në Shqipëri, por dyshohet se ka hyrë nëpërmjet kufirit të gjelbër, pasi nuk figuron në sistemin TIMS.

Burime për

tvklan.al

thonë se duke qenë se udhëtonte me makinë të një ambasade, autoritetet kufitare kryen procedura të shkurtuara dhe nuk iu kërkua llogari përse nuk figuronte në TIMS.

Ish-Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski dy ditë më parë njoftoi se ndodhej në Budapest të Hungarisë dhe kishte aplikuar për azil, me pretendimin se kishte marrë mesazhe kërcënuese. Të mërkurën, autoritetet hungareze bënë me dije se kishin pranuar kërkesën për azil të Gruevskit.

Ai është dënuar me 2 vjet burg nga gjykata e Shkupit, për rastin e njohur si “Tanku”, me akuzën për abuzim me fondet publike lidhur me automjetin tip Mercedes-Benz të përdorur nga ai.

/tvklan.al