Ermal Mamaqi ishte i ftuar në programin ” Rudina”  në TV Klan dhe foli për premierën e filmit të tij të fundit “I Love Tropoja”. Ai është i lumtur që një film shqiptar pati një rekord edhe në premierë sepse kanë qenë për herë të parë 5000 të ftuar, në dy shfaqjet në Pallatin e Kongreseve.  

Lidhur me idenë e skenarit dhe pse zgjodhi pikërisht të realizonte këtë film, Ermali u shpreh se një histori që kishte dëgjuar nga një zonë shumë larg Tropojës, kishte shërbyer si një shkëndijë, që ai më pas të ndërtonte një histori. Ermali, përmes filmit të tij dëshiron të tregojë se tropojanët janë njerëz të besës, që e duan traditën dhe respektojnë familjen dhe mikun.

 “Kjo histori ka ardhur si pasojë e një kohe, mbasi kishte mbaruar filmi “Dy gisht mjaltë” kishte arritur një sukses maksimal në histori. Dhe ankthi, ajo ideja po tani çfarë do bëjmë, se publiku pret diçka më të mirë, më mundonte. Dhe në një nga ato ditët, unë dëgjoj një histori, të një zone shumë larg Tropojës, e cila më dha një shkëndijë. Dhe kam shkuar atë natë, e mora atë që dëgjova dhe kam ndërtuar një histori komplet ndryshe. Skenari flet për një djalë, i cili shkon në Tropojë, mbasi është i frikësuar se ka parë filmin “Taken”, që është ai Marko nga Tropoja që e marrin peng. Atje padashje hap një derë, që do i hapi shumë probleme. Vlen të theksoj që filmi flet për zakonet dhe traditat që tropjanë, i kanë akoma dhe i ruajnë dhe bëjnë shumë mirë, se janë këto vlera që ne na bëjnë bashkë dhe të tjerët vlerësojnë tek ne. Në film duket qartë, se ajo që unë kam dashur të bëj është që t’i kthej përgjigje këtyre filmave, që i tregojnë tropjanët si kriminelë, ose si njerëz të këqinj, që merren me drogë ose gjëra të tjera. Unë tregoj në filmin tonë që tropojanët janë njerëz të besës, që e duan traditën, e respektojnë mikun, e respektojnë familjen dhe që janë njerëz shumë të dashur dhe deri-diku dhe funny, le të themi të qeshur”.

Më tej Mamaqi shton se filmi bën edhe një marketing të mirë për Tropojën dhe Valbonën.

“Por mbi të gjitha, ky film bën një marketing shumë të madh për Tropojën, për Valbonën. Dhe unë besoj se kushdo që do ta shikojë filmin, patjetër do shkojë ta shohë Valbonën, ta shikojë Tropojën dhe të shohë se ato që janë thënë deri sot për Tropojën dhe tropojanët nuk kanë lidhje me frikën, ose me krimin. Por përkundrazi kanë lidhje me ndershmërinë, me mikpritjen dhe me bukuritë natyrore”. /tvklan.al