Emisioni Historia e Fundjavës nga Mirela Milori dhe Arbër Hajdari do të jetë pranë publikut shqiptar çdo të dielë në orën 19:30 në ekranin e Klan Plus, për të trajtuar histori të ndryshme njerëzore, por ç’është më e rëndësishmja, për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, për të përmbushur një mision siç është bamirësia.

Por, sikurse ndodh rëndom me çdo fondacion bamirësie që krijohen pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të të ardhurave, themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari është treguar transparent duke shpjeguar të gjithë mekanizmin financiar të fondacionit të krijuar prej tij.

Mirela Milori: Si mblidhen të ardhurat?

Arbër Hajdari: Fundjava Ndryshe nuk është Arbri. Fundjava Ndryshe është një tren i madh njerëzish që japin ndihmën e tyre qoftë të mbështetjes që na bëjnë nëpër rrjete sociale nëpërmjet frymës së mirë. Fundjava Ndryshe ka një strategji shumë të qartë dhe shumë të veçantë. E veçanta është gjithëpërfshirja e njerëzve. Ne i ftojmë njerëzit që jetojnë në Shqipëri, që dhurimin e tyre ta kanalizojnë dhe bëjmë ndërmjetësimin e një familje që ka nevojë dhe një familje që ka mundësi të dhurojë. Kemi një element ku nëpërmjet llogarive bankare funksionojmë me shqiptarët që jetojnë jashtë. Çdo njeri prej tyre e zgjedh vetë rastin apo historinë që ne publikojmë për të ndihmuar dhe lidhim një formë binjakëzimi midis familjes që jeton jashtë dhe familjes që jeton në Shqipëri. Ka prej tyre që mbeten anonimë, ka prej tyre që krijojnë një marrëdhënie shumë të ngushtë. I gjithë aktiviteti financiar i fondacionit Fundjavë Ndryshe është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktiviteti përveç se kontrollohet nga qeveria amerikane ku është e detyruar me ligj që të mos ndërrohet destinacioni i fondit. Pra, çdo ndihmë duhet të shkojë në destinacion. Më pas i gjithë fondi që vjen në Shqipëri kontrollohet dhe nga qeveria shqiptare.   /tvklan.al