Pas këshillimeve, të enjten policia nis nga gjobat

Shkeljet e kufizimit të lëvizjes gjatë natës së parë u toleruan vetëm me këshillim nga uniformat blu. Por prej të enjtes çdo këmbësor do të gjobitet me 10 mijë Lekë të reja dhe shoferëve do t’u hiqet leja e drejtimit, nëse lëvizin pa leje nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Ndërkohë kanë nisur aplikimet për leje në portalin e-Albania për të lëvizur gjatë natës.

Portali ofron dy kategori lejesh, për ata që duan të lëvizin për shkak të punës dhe ata që lëvizin për arsye të tjera, me ose pa makinë. Në rastet e lejes për punë, sistemi gjeneron vendin e punës dhe leja ju vjen me e-mail.

Në rast të lejes së domosdoshme, duhet të shkruani arsyen, datën dhe orën e lëvizjes. Leja e domosdoshme mund të merret për shkaqe mjekësore, raste emergjencash apo për të shkuar në aeroportin e Rinasit.

Si të merrni leje?

– Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;

– Zgjidhni shërbimin “Leje për dalje”

– Klikoni butonin “Përdor”

– Përzgjidhni llojin e lejes që ju nevojitet

 Në rast se ju nevojitet leje për punë:

– Përzgjidhni opsionin “Leje për punë”

– Përzgjidhni mënyrën e qarkullimit “Me mjet” ose “Pa mjet”

Në rast se ju nevojitet leje për arsye të domosdoshme:

– Përzgjidhni opsionin “Leje për arsye të domosdoshme”

– Shkruani saktë datën dhe arsyen e lëvizjes

Ndërkohë nata e parë e karantinës nuk është respektuar nga ana e qytetarëve. Në rrugë kanë qenë qytetarë dhe makina të shumta, të paktën deri në orën 23:30, por lëvizja ka vijuar edhe më vonë.

Baret dhe restorantet vendosën të respektojnë vendimin dhe janë mbyllur në orën 22:00.

Tv Klan