Mbi 3.5 milionë shqiptarë kanë të drejtën për të votuar më 25 Prill, ditë kur do të vendoset për Kuvendin e ri. Ministria e Brendshme ka publikuar këtë të mërkurë listën përfundimtare ku sqaronte se i gjithë procesi hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të Komisionit Qendror të Zgjedhësve. 

Në një deklaratë të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, sqarohej edhe mënyra se si mund ta verifikojnë qytetarët emrin në listën e zgjedhësve. Çdo qytetar mund të verifikojë emrin nëpërmjet shërbimit online në portalin e-Albania, ku mund të kryhet përmes kërkimit të qendrës së votimit (Kliko këtu).

“Shërbimi elektronik “Kërkimi i qendrës së votimit (QV)” i mundëson çdo shtetasi shqiptar të kërkojë adresën e qendrës së votimit në të cilën është caktuar të votojë”, thuhet në portalin e-Albania.

Por Doracaj shtoi gjithashtu se për çdo pretendim ata mund t’u drejtohen zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë.

Nga lista përfundimtare e zgjedhësve ka rezultuar se votues meshkuj janë 50.5% ndërsa femra 49.5%. 107 024 persona do t’u drejtohen për herë të parë kutive të votimit. Ndërkohë 1 098 shtetas janë të bllokuar si shkak, apo si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit.  Numri total i qendrave të votimit është 5199 në rang vendi./tvklan.al