Mirgena u bë “nënë” në moshën 13-vjeçare me një fëmijë që e ëma e braktisi dhe ngeli në duart e saj. Vogëlushja ishte në fakt gjak i Mirgenës, e cila e rrëfen këtë histori nga studioja e programit të Tv Klan, “E Diela Shqiptare” në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Babai i vogëlushes është vëllai i Mirgenës, Genci, i pacelebruar me ish-gruan që një ditë u largua dhe la vajzën e sapolindur. Por ashtu si një ditë u zhduk, pas disa muajsh ajo kthehet dhe vajza humbet nga krahët e Mirgenës.

Mirgena: Një ditë, mëngjes ishte, Maj ka qenë, erdhi ish-nusja e vëllait bashkë me kryeplakun e fshatit që të diskutonin të merrte vajzën. Vijnë atje, unë e kisha vajzën në krahë dhe thotë: “Ne vajzën do ta marrim”. I them unë: “Jo, vajzën e kam unë, nuk ta jap”. Thotë kryeplaku: “Rri ti se je e vogël, nuk di nga këto gjëra”.

Ardit Gjebrea: Ti ishe 13-14 vjeç?

Mirgena: Po. I thotë babi im: Dëgjo, vajzën ne do ta mbajmë, po ashtu të më japë një shkrim ta hedh në emrin tim. Fliste kryeplaku i fshatit, thotë: Jo se ajo është pa celebrim dhe po iu bë denoncim do të jetë më e vështirë për ju.

Duke qenë se nuk kishte një celebrim mes vëllait të Mirgenës dhe ish-nuses së tij, ekzistonte gjithnjë mundësia që ajo të thoshte se ai nuk ishte babai i vërtetë i vajzës së saj, por dikush tjetër.