Histori me zhurmues – Halide Lako ishte një nga të ftuarat e emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Ajo na rrëfeu historinë e saj se si gjatë komunizmit e transferuan bashkë me familjen nga Tirana në Lezhë. Lako sqaroi se transferimi fillimisht ishte për tre vite, por ata jetuan atje 12 vjet. Siç tregon ajo ky transferim nuk ishte i lehtë për ta sepse të gjithë të afërmit ata i kishin në Tiranë.

“Unë kam qenë drejtoreshë, komuniste dhe jam munduar ta bëj punën me pasion në atë kohë. Unë jetoja në Lezhë, por në fakt me origjinë jam nga Përmeti dhe jetonim në Tiranë, por im shoq u transferua Lezhë dhe ne shkuam pas tij. Unë kam qenë nënë e dalluar dhe mësuese e dalluar, ndaj edhe më piketuan për të realizuar një dokumentar. Mua më doli e drejta e studimit për gjuhë ruse dhe atë mbarova dhe në vitin 1962 fillova si bashkëpuntore tekniko-shkencore. Më pas bëra një kërkesë për të kaluar në arsim dhe fillova në shkollën e mesme “Partizani”. 10 vite më vonë më transferuan në Lezhë. Kur u transferuam në Lezhë të them të drejtën unë u mërzita, nuk njihja njeri. Por ndodhi e kundërta, na pritën shumë mirë dhe kam nostalgji për ta. Lezha ka qenë qytet i vogël, por kishte shumë të ardhur, jemi ndjerë mirë. Që në fakultet më bënë kërkesë të bëhesha anëtare partie, por nuk doja sepse isha e re. Por më pas më propozuan sërish dhe u bëra pjesë. Lufta e klasave në atë kohë ka qenë shumë e theksuar, të shikonin me kë shoqëroheshe dhe duhet të kishe shumë kujdes. Kur na transferuan në Lezhë u mërzitëm shumë, në fillim na thanë se do të qëndronim vetëm 3 vjet dhe ne jetuam atje 12 vjet. Ne i kishim njerëzit të gjithë në Tiranë dhe u mërzitëm. Më pas im shoq bëri një kërkesë dhe na transferuan sërish në Tiranë”,

rrëfeu Lako.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al