Histori me zhurmues – Kjo është një nga ato ngjarje për të cilën shtypi, media dhe shteti nuk folën kurrë. Bëhet fjalë për tragjedinë që ndodhi në guroren që furnizonte me material ndërtimin e digës, ku humbën jetën 9 persona.

Një nga njerëzit që punuan në hidrocentralin e Fierzës, Nestur Gjipali ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të drejtuesit dhe autorit Pandi Laço ku tregoi detaje rreth ngjarjes.

“Unë kam filluar punë në hidrocentralin e Fierzës në Nëntor të ’73. Atëherë sapo kishte mbaruar hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe po bëhej transporti për në hidrocentralin e Fierzës. Më caktuan në kantierin e prodhimit 1, në prodhimin e betonit. Unë kisha dëshirë të punoja për riparimin e automjeteve. Kushtet e punës kanë qenë shumë të dobëta. Më vonë i kërkova drejtorit të punoja për riparimin e automjeteve. Në vitin 1977 në kantierin e gurores njerëzit punonin me dy turne. Gurorja ishte furnizuesja kryesore e digës.

Bëheshin plasje masive saqë rrafshoheshin kodra, madje një herë aq e madhe u bë plasja sa i ndryshoi rrjedhën Lumit Valbonë. Në ditët e fundit pak para se të ndërroheshin turnet ndodhi tragjedia. Ishte kohë e vrenjtur dhe plasi një vetëtimë dhe bëri një shkrepje të pavullnetshme të dinamitit. 6 persona të cilët ishin brenda humbën jetën në vend, tre shokët e tyre të alarmuar u futën për t’i shpëtuar dhe ata humbën jetën. U bë alarm i madh, ushtria rrethoi vendin që askush të mos futej.

Provuan të futen me kundragaz, por presioni ishte aq i madh sa bllokonte edhe kundragazin. Drejtoria e gurores dhe drejtoria e përgjithshme u alarmuan dhe nuk dinin kush kishte mbetur brenda. Shkuan në kinema dhe nisën të bënin një lloj apeli për të kuptuar kush mungonte dhe 4 nga personat që humbën jetën ishin nga Dibra dhe 2 nga Librazhdi. Që nga ajo kohë nuk foli më njeri për ta. Shtypi në atë kohë nuk i përmendte ngjarjet e trishtueshme”, tregoi .

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al