Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptar ka qenë një grua e quajtur Monika Luarasi e cila në vitin 2017 ka pësuar një aksident të frikshëm. Dikush e shtypi atë me makinë para Presidencës dhe ka luftuar me jetën për javë me radhë. Ajo ka rrëfyer në studio historinë e saj të dhimbshme dhe përjetimet gjatë asaj periudhë kohe.

Monika Luarasi: Jam fëmija i tretë. Jam rritur me shumë përkujdesje nga prindërit dhe kam patur një fëmijëri të mirë. Më pas u martova po mirë dhe linda dy fëmijë të mrekullueshëm, kisha një punë shumë të mirë dhe çdo gjë shkonte mrekullueshëm derisa erdhi një moment që gjithçka u përmbys. Ishte 16 Marsi i vitit 2017 unë kam pësuar një aksident shumë të rëndë. Dilja nga puna, ku punoja në Universitetin Politeknik dhe para Pallatit të Kongreseve përballë Presidencës më përplasi një makinë. Njerëzit që më shikonin menduan se kisha vdekur. Vjen ambulanca e spitalit të traumës dhe shyqyr Zotit që erdhi ajo sepse unë isha pa jetë, me frymëmarrje artificiale, me oksigjen më dërgojnë në spital.

Ardit Gjebrea: Kjo ngjarje ka bërë bujë dhe në media.

Monika Luarasi: Po. Pasi kam shkuar në spital unë kam bërë dy javë luftë me vdekjen, isha pa shenja jete, doktorët nuk më operonin dot sepse e para unë nuk thithja narkozën e plotë për gjithë operacionin sepse isha me frymemarrje artificiale, por dhe nuk kisha asnjë shenjë jete, nuk isha e përgjegjshme. Pas dy javësh doktorët me operuan, shyqyr Zotit doktorët më shpëtuan këmbën dhe operacioni shkoi me sukses, por nuk ishte me kaq. Unë për tre muaj isha pa memorje.

Ardit Gjebrea: A e kujtoje emrin tënd?

Monika Luarasi: Jo fare, unë nuk isha e përgjegjshme. Një her thoja që kam dy fëmijë e një herë tre. Mua më ruanin se isha e papërgjeshme  dhe çfarë nuk bëja.

Ardit Gjebrea: Po mjekët çfarë thoshin?

Monika Luarasi: Burrit tim i cili ishte shumë i shqetësuar për gjendjen time, mjekët i thoshin se kur të shkojë në shtëpi, ambient dhe ngrohtësia familjare, do i vijë memorja. Pas dy muaj e gjysmë kur dola nga spitali, unë ruhesha nga çdo gjë që isha e rrethuar.

Ardit Gjebrea: E mbaje mend shtëpinë tëndë?

Monika Luarasi: Jo jo nuk mbaja mend asgjë.

Ardit Gjebrea: Kur të vinin fëmijët që të thoshin mami jam unë, çfarë bëje ti?

Monika Luarasi: Kur ata thoshin ashtu, unë kisha një farë prekje, por nuk ndjeja asgjë tjetër, unë një minutë përshëndetesha dhe më pas nuk mbaja mend asgjë. Në memorjen time, ato tre muaj janë zhdukur. /tvklan.al