Histori me zhurmues – Muzika e lehtë shqiptare nisi në shekullin XIX dhe kulmoi në mesin e shekullit XX.

Rudolf Stamolla një nga këngëtarët pionerë të muzikës shqiptare ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço. Gjatë emisionit ai tregoi se në vitin 1957 u krijua kuariteti i parë instrumental në Shqipëri dhe se këndonin këngë të ndryshme të përkthyera nga të huajt.

“Në Shqipëri edhe para institucionalizimit të muzikës së lehtë ka patur disa orkestra në lokalet e Tiranës, por edhe në qytete të tjera. Këtu në Tiranë ka patur një orkestër shumë të mirë tek “Vollga”. Drejtues orkestre aty ishte Fatbardh Shkoza dhe kishte instrumentistë shumë të zotë si Islam Petrela, Medi Prodani, etj. Vende të tjera ku bëhej muzikë ishin, “Internacionali”, “Donika” dhe tek hotel “Dajti”. Këto orkestra të gjitha bënin muzikë të huaj sepse muzikë shqiptare nuk para kishte në atë kohë, vetëm ndonjë sonetë. Në Shkodër, në “Kafe të madhe” ka patur orkestër bashkë me këngëtarin, mbaj mend që atje këndonte Gjoka, ka qenë një këngëtar i verbër, Pjetër Gjini i cili më vonë ra në burg. Dhe për të instrumentalizuar punën dhe për të bërë muzikën e lehtë shqiptare u dha një direktivë për kohën nga Komiteti i Partisë dhe shefi i muzikës Abdullah Grimci na mblodhi dhe dha mendimin për të formuar një orkestër, por formacioni i orkestrës akoma nuk dihej se si do të bëhej. Këtë gjë ia lanë në dorë Agim Prodanit. Në Shtator të vitit 1957 u krijua kuariteti i parë instrumental dhe na u tha që mund të këndonim këngë nga e gjithë bota, vetëm i donin me përmbajtje të shëndoshë. Këngët duheshin përkthuer dhe duhej të këndoheshin në shqip. Unë në atë kohë njihesha me Agim Prodanin dhe tek krijimtaria popullore që ishte në Bulevardin Zogu i Parë këndonim ndonjë këngë në gjuhën italiane. Ka qenë ai që më ka thënë se kam zë të mirë, deri në atë kohë nuk i kisha kushtuar shumë rëndësi. Më pas kam kënduar me intensitet përsa i përket zhanreve, tango, valse të gjitha ritmet moderne të asaj kohe. Kënga e parë që kam inçizuar ka qenë “Nuk deshta me besu”, ka qenë këngë e Georgio Consolinit, një këngëtar i tangove të asaj kohe. Kjo këngë pati shumë satisfaksion, më pas vijuan shumë këngë të tjera. Një mori këngësh janë bërë nga viti ‘57 deri në ’60. Nerëzit ishin shumë të etur për muzikën e lehtë, sepse muzikë popullore ishte kënduar edhe më parë. Nga muzikantët e parë me të cilët kam bashkëpunuar ishin Medi Prodani, Agim Prodani, Njaz Guralumi etj. Si këngëtarë fillimisht kanë qenë Pavlina Nika, Pjetër Gjergji, Anita Take, Qemal Kërtuasha, etj”, rrëfeu Stamolla.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv