Kryeministri Edi Rama këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit nuk i ka kursyer ironitë për opozitën dhe për reagimet kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Budallallëku dhe mençuria ngjiten kollaj njësoj si sëmundjet infektive, ndaj zgjidhni me kujdes ata që dëgjoni”, ishte kjo shprehja nga Shekspiri që Rama zgjodhi ta përdorë në nisje të fjalimit.

Rama tha se meqë teatrin e politikës e ka pushtuar politika për teatrin, konsiderohet lajm i mirë pasi sipas tij në këtë moment, nëse nuk do ishin marrë masat e duhura në luftën ndaj Covid-19, do të numëronim viktima, plagë të rënda e kolaps të sistemit të shëndetësisë.

“Jeta më ka çuar dikur pa dashjen time pranë një njeriut të zemrës në një spital amerikan në Massachusetts, dhe kur kam hyrë dhe kam parë se ç’ndodhte, kam menduar që kjo këtu është dora e Zotit se nuk ka mundësi dhe përpara syve të mi kam parë atë qenie, për të cilën do jepja jetën time, të kthehej nga koma dhe sot në atë vend ku gjendet ai spital numërohen 6 mijë të vdekur. Por si çdo sukses edhe ky ka koston e vet dhe kosto e këtij është rritja e përditshme e atyre që thonë se kjo ishte lojë, që qeshin e tallen dhe atyre që tek ajo që bëmë shohin fytyrën e vërtetë të diktaturës dhe diktatorit që mbylli shqiptarët, që i do brenda, që i detyroi me pahir të hynin në botën dixhitale dhe të vuanin padrejtësisht internimin në kolltuqet e tyre, të vuajnë padrejtësisht sakrificat e mëdha të një lufte të përgjakshme në krevat pa nevojën për të shkuar në punë”.

Kreu i qeverisë, sa i takon situatës me Covid-19, tha se brenda Majit vendi do të shkojë drejt një hapjeje totale.

“Përderisa ne ia dolëm, natyrisht që shumë kush duke bërë zgjedhjen e gabuar të bjerë pre e zinxhirit të infektimit të budallallëkut. Shqipëria brenda Majit do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do jenë të hapur dhe do përgatitemi për sezonin turistik, jo duke u kërkuar atyre që bëjnë zgjedhjen e gabuar, duke i kthyer shpinën të madhit Shekspir dhe i kanë kthyer sytë te teatri, por duke u përgatitur ne vetë që nëse do të vijë një valë e dytë më e rëndë edhe për ne, ta përballojmë me atë dinjitet dhe seriozitet, duke e vendosur Shqipërinë në atë grup të vogël vendesh që shihen me admirim”.

Sa i takon situatës së shkaktuar në opinion publik dhe reagimet e opozitës pas shembjes së teatrit, Rama tha se habitet si ende nuk e kanë njohur dhe nuk e kuptojnë që kjo qeveri “bën atë që thotë dhe thotë atë që bën”.

“Por sigurisht do të hapemi, por jo si tek teatri, ku papritur u turrën turma si sheshi tek përsheshi. Turma e përgatitur prej shumë kohësh, që e kishte hipotekuar prej 2 vjetësh e gjysmë atë godinë si kështjellë, prej ku do të organizonte sulmin final mbi regjimin. Mirëpo çdo njeri ka një dobësi dhe dobësitë njerëzore dalin me shpirtin, e kur ajo është që mbi të gjitha vjen gjumi dhe kapesh në gjumë, teksa ëndërron se ke triumfuar dhe hap sytë dhe sheh që kalaja ka rënë, ka dhe dhimbje, dëshpërim dhe është i pangushëllueshëm sepse ngushëllohet dëshpërimi i atyre që humbin një betejë kur kanë përcaktuar rrugën e objektin, por jo atyre që kanë zgjedhur rrugën e gabuar… se nuk po shtoj kundërshtarët e gabuar. Habitem si nuk na keni njohur dhe s’na njihni akoma, se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Më shkruante dikush: “po si s’u mërzite 21 vjet, e nuk u ndave deri sa e prishe?!” Përgjigjja shumë e thjeshtë… nuk kam ardhur në politikë për të kapur ça të kap, kam ardhur për të bërë sukses dhe për të luftuar për bindjet e mia, nuk jam shumë i zoti për konsensus se jam i politikës së bindjes dhe i luftës së bindjes”. /tvklan.al .