Ky është momenti kur një njeri i dyshimtë, i veshur si një pastrues rrugësh dhe me një maskë në fytyrë kalonte përpara shtëpisë së Flamur Beqirit përpara se ta vriste atë dy vite më parë. Pamjet e kamerave të sigurisë shfaqin pamje të 24-vjeçarit Anis Hemissi, i cili qëndroi i maskuar për më shumë se 4 orë jashtë shtëpisë së Beqirit në Londër.

Pamjet i kaluan trupës gjykuese ditën e sotme ku Hemissi, i riu me origjinë suedezo-tuniziane kontrollonte pronën gjatë ditëve që planifikohej vrasja. Në njërën prej filmimeve, ai shihet i veshur si pastrues rrugësh, me një maskë, syze dhe rroba pune ndërsa mblidhte mbeturina për t’i hedhur brenda një qeseje.

Në pamje, ai lëviz vazhdimisht rreth pronës me qesen e cila është gjatë gjithë kohës bosh. Paraqitja e tij pa shprehi fytyre iu duk e dyshimtë njërit prej banorëve i cili po shëtiste qenin. Në një regjistrim tjetër, i cili përmban edhe zë, banori, Jeremy Lyons e pyet: “Më falni, për kë punoni?” dhe më pas largohet duke i thënë: “Ikni që këtu ju lutem”.

Ditën tjetër, Hemissi është i veshur tërësisht me ngjyra të errëta, me shall, kapuç, syze dhe një maskë tjetër lateksi. Një ekspert i policisë tha: “Maska është gjithnjë pa shprehi dhe goja nuk lëviz. Mund të shihet që janë dy maska të ndryshme për shkak të vendosjes së hundës”.

Të mërkurën, trupa gjykuese dëgjoi se si ekzekutuesi nuk hezitoi aspak për ta çuar deri në fund vrasjen e shqiptarit nga Kosova në mbrëmjen e Krishtlindjeve jashtë shtëpisë së tij./tvklan.al