Si përzgjidhet profesioni?

Si përzgjidhet profesioni?

Autori: Blendi Fevziu

23:12 22/12/2009

Është një moment që të gjithë e mbajnë mend, marrjen në dorë të diplomës dhe hedhjen në ajër të kapeles. Tashmë të rinjtë e sapodiplomuar e kanë një profesion. Zgjedhjet janë bërë, tregu është gati t’i presë. Por a është bërë zgjedhja e duhur? A i përgjigjet tregu numrit të të diplomuarëve dhe anasjelltas? Cilat janë degët me të cilat asnjëherë nuk  rrezikon të mbetesh i papunësuar?

Sikur të kishte një përgjigje për këtë, të gjithë studentët do të ishin të qetë në zgjedhjet e bëra, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Sipas të dhënave, nga universitetet e Shqipërisë ofrohen 50 lloje të ndryshme diplomash dhe peshën kryesore e zë Ekonomiku dhe Juridiku.

Mendohej se ishin bankat ato që kishin uri më të madhe, por edhe kjo është një fazë e kaluar. Tashmë është krijuar një shtresë bankierësh, që arrijnë të plotësojnë nevojat e tregut. Menaxherët e përgjithshëm, menaxherët e burimeve njerëzore, marketing, kreativitet, pedagog apo ekspert i pasurive të paluajtshme kanë njohur një lulëzim gjatë viteve të fundit.

Të gjendur përballë një rritjeje që nuk mund ta menaxhojnë më të vetëm, shumë pronarë kompanish, si të huaja ashtu dhe vendase, sot kërkojnë administratorë dhe kërkojnë që ata të jenë vendas, pasi e njohin më mirë kulturën dhe tregun shqiptar. Por realisht pak i gjejnë dhe detyrohen t’i importojnë nga jashtë.

Anketimet në Shqipëri kanë treguar se ndikimi në përzgjedhjen e profesionit është i lidhur më së shumti me përfitimet ekonomike që ai sjell. Përzgjedhja e profesioneve më përfituese mund të kryhet duke u mbështetur në 4 kategori, që janë rritja e tregut të punës, potenciali i pagesës, niveli i arsimimit dhe mundësia për ndryshim.

E rëndësishme është që dikush të zgjedhë karrierën në një profesion që është i kërkuar për momentin. Por një pofesion i mirë ka nevojë për investim në mësim. Në vendin e parë të listës së profesioneve më të lakmueshme në botë është ai i këshilltarit të financave, në vendin e dytë është puna e shkencëtarëve mjekësorë, më pas vjen inxhinieria kompjuterike, sporti dhe arti.

Avokatia aktualisht ka humbur disa pikë në reditjen botërore, por ato që janë të kuotuara shumë mirë janë të gjitha degët që kanë lidhje me financat dhe ekonominë.

Për të diskutuar mbi përzgjedhjen e profesionit në emisionin “Opinion” ishin të ftuar ekonomistja dhe këshilltarja e kryeministrit Zana Guxholli, politologia dhe pedagogia Mirela Bogdani, psikologu Edmond Dragoti, avokati Sokol Nako, rektori i Akademisë së Arteve Petrit Malaj dhe kryetari i Shoqatës së Arkitektëve në Shqipëri  Artan Shkreli./tvklan.al





Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:12 22/12/2009