Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime” në Tv Klan ishte Drejtoresha Kombëtare e World Vision, Eljona Boçe Elmazi. Ajo foli për një tjetër program të aplikuar prej tyre prej kohësh, por që e vijojnë dhe e kanë përshtatur edhe gjatë pandemisë me emrin “Tungjatjeta Jetë”.

Ky program social “Tungjatjeta Jetë”, prej disa vitesh gjen zbatim në disa prej zonave më të thella të Librazhdit, Dibrës, Bulqizës, Prrenjasit, ku një ekip i specializuar shkon në shtëpitë e fëmijëve me aftësi të kufizura për t’iu ofruar terapi të specializuar pa pagesë.

Që nga fillimi, fëmijët kanë pasur shumë përmirësime, por gjatë kësaj periudhe, për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre, ekipi nuk ka shkuar fizikisht, por kanë gjetur një mënyrë alternative, që fëmijët të vazhdojnë të bëjnë ushtrimet. Nëpërmjet video-udhëzuesve, terapistët instruktojnë prindërit e fëmijëve për të realizuar ushtrimet. Që në fillimet e programit, familjarët janë trajnuar vazhdimisht nga specialistët për t’i bërë ushtrime fëmijëve të tyre.

Eljona Boçe Elmazi: “Tungjatjeta Jetë” ka nisur para rreth dy vjetësh dhe erdhi si rezultat i një studimi kombëtar që ne ndërrmorëm si “World Vision”. Studimi ishte për të kuptuar, cila ishte prevalenca e fëmijëve me aftësi të kufizuar në Shqipëri. Nëpërmjet atij studimi, ne arritëm të kuptonim që 10% e fëmijëve në Shqipëri kanë të paktën një formë të aftësisë së kufizuar, pra një në 10 fëmijë. Nga këta fëmijë, 92% e tyre nuk marrin shërbime të specializuara, nuk kanë akses në shërbime të specializuara, vetëm 8% e tyre kishin patur akses në këto shërbime. Kjo na bëri të vinim në një iniciativë që nëqoftëse fëmija nuk shkon tek shërbimi duhet ta çojmë ne shërbimin tëk fëmija. Krijuam grupe specialistësh të përbërë nga psikologë, punonjës socialë, fizioterapistë, logopedë. Ka filluar në Librazhd, në fshatra të thellë, të varfër dhe e kemi shtuar më pas në familje në zonën e Dibrë sdhe Bulqizës.

Mirela Milori: Sa familje?

Eljona Boçe Elmazi: Janë 72 fëmijë, të cilët marrin shërbime të specializuara në familje, nga 8 specialistë që shkojnë dhe vizitojnë fëmijën 1 herë një javë?

Mirela Milori: Si aplikohet online?

Eljona Boçe Elmazi: Në momentin e izolimit na u desh që ta përshtasnim sepse nuk mund t’i lije fëmijët pa e vazhduar terapinë, sidomos kur ke raste që kanë përjetuar një rritje progresive ose një përmirësim në gjendjen e tyre dhe na u desh ta vazhdanim këtë gjë. Për këtë arsye na u desh ta bënim shërbimin online, sërish nëpërmjet këtyre platformave teknologjike sociale, ku terapisti e ka ofruar këshillën tek prindi, që prindi të mund të vazhdojë të bëjë ushtrimet më fëmijën. /tvklan.al