Keidi Bare tregon rregullat e reja

Në Spanjë futbollistët po stërviten prej disa ditësh në mënyrë individuale. Futbollisti i Kombëtares, Keidi Bare i është rikthyer fushës pas një pushimi të gjatë për shkak të Covid-19 dhe nën masa të forta sigurie.

Mesfushori shqiptar i Malaga sqaron për Tv Klan rregullat që duhet të respektojnë.

“Ndjehem mirë, pasi nuk është si të stërvitesh në shtëpi. Vijmë çdo 15 minuta me makinat tona. Kemi doreza dhe maska, ata që nuk kanë i gjejnë në hyrje. Kushtet janë shumë të mira, ndjehemi të sigurt. Na kanë bërë tampone para nisjes së stërvitjes dhe do të bëhen të tjerë”.

Keidi Bare thotë se hapat po hidhen një nga një për të qenë sa më sigurt.

“Na kanë thënë që mund të stërvitemi me grupe të vogla prej javës së ardhshme, por ende nuk është e sigurtë që më pas të bashkohemi i gjithë ekipi”.

Data e rikthimit të kampionatit në Spanjë mendohet të jetë 12 Qershori, por ende nuk ka një vendim zyrtar.

Tv Klan