Histori me zhurmues – Në vitin 1978 televizori ishte një pajisje shtëpiake që kushtonte 40 mijë lekë të vjetra ose 10 herë më shumë se paga e një punëtori.

Por si realizohej në atë kohë propaganda e partisë në zonat e thella malore ku sinjalet televizive nuk kishin mbërritur.

Syl Voci ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ku tregoi se në komunizëm shpërndarja e librave politikë ishte një lloj propagande në fshatrat e thella.

“Sipas udhëzimeve që na jepnin ne duhet të çonim libra në zona të thella malore. Synimi kryesor ishte libri politik, të tjerat kishin më pak prioritet. Fshatarët kishin shumë interes për librat, sidomos për ato politikë. Ne çonim libra edhe për nxënës. Përveç librave politikë, fshatarëve iu interesonin edhe librat profesionalë, romanet dhe librat historikë.

Unë kam nisur të shpërndaj libra në Nëntor të vitit 1969. Në Koplik, librari kisha vetëm unë dhe mbuloja një pjesë të mirë të fshatrave në Veri. Libraritë shisnin edhe gazetën dhe më e shitura ishte “Zëri i Popullit”. Gazetat e sportit ishin po ashtu me mjaft interes. Kam patur shumë provokime në atë kohë, por jam shmangur. Të gjithë librat që shpërndaheshin duheshin kontrolluar. Po të të gjenin një vepër të ndaluar në atë kohë ishte njëlloj si të të gjenin një pushkë pa leje, dënoheshe 7-10 vjet”, tha Voci.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al