Si shihen SHBA-të në botë



Si shihen SHBA-të në botë

14:23 24/06/2015 1

Shtetet e Bashkuara shihen nën një dritë pozitive nga shumë vende të Botës. Sondazhi i Qendrës Kërkimore Pew Research Center në 40 vende tregon se një mesatare prej 69 % e personave të pyetur vlerësojnë ekonominë dhe luftën kundër Shtetit Islamik dhe po kaq simpatizojnë presidentin amerikan, Barak Obama. Megjithatë për çështje, si “teknikat e marrjes në pyetje”, pas sulmeve të 11 shtatorit, të konsideruara “si torturë”, SHBA kritikohen.

Nga sondazhi i kryer në 40 vende, pjesa më e madhe në 30 prej tyre i shohin Shtetet e Bashkuara, si fuqinë më të madhe ekonomike në Botë. Njerëzit e pyetur në Indi kanë ndihmuar në përforcimin e kësaj statistike. Megjithatë nënvizohet se shumica në 27 vende besojnë se Kina do ta zëvendësojë SHBA-në, duke u shndërruar në superfuqinë e parë globale dhe janë vendet e Bashkimit Europian më të bindurit për supremacinë e paevitueshme të Kinës.

Kur flitet për Luftën kundër Shtetit Islamik, një mesatare prej 62% personash në botë mbështesin veprimet e ndërmarra nga SHBA. Ndërsa 24 % e të pyeturve kundërshtojnë përpjekjet kundër ISIS në Irak dhe Siri. Presidenti amerikan Barak Obama gëzon mbështetje, e cila ka ardhur në rritje, përvec Izraelit, ku ka shënuar rënie në 12 muajt e fundit. Sondazhi i Qendrës Kërkimore Pew është bërë mes muajve Mars dhe Maj të këtij viti dhe janë pyetur 45 mijë persona.

Tv Klan






Të ngjashme