Sistemi i fortë shëndetësor dhe mënyra e jetesës

Baret, restorantet, shkollat, palestrat e shumë biznese të tjera në Suedi nuk janë mbyllur asnjë ditë, teksa pjesa tjetër e globit është e paralizuar nga masat bllokuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Pavarësisht kësaj, vendi skandinav ka ndër shifrat më të ulëta të përhapjes së koronavirusit. Edhe pse ishte ndër vendet e para të BE-së që u prekën pas shpërthimit të epidemisë në Itali në fund të Shkurtit, Suedia numëron sot gati 18 mijë të prekur, prej të cilëve 2200 kanë humbur jetën dhe 1000 janë shëruar.

Referuar këtyre shifrave, kryeepidemiologu suedez Anders Tegnel thotë se strategjia e hartuar prej tij me masa të lehta kundër përhapjes së Covid-19 ka rezultuar tepër e suksesshme dhe ka bërë që ekonomia të mos pësojë goditje të forta, ashtu si në pjesën më të madhe të globit.

Javën e kaluar pati një rritje të ndjeshme të numrit të infektimeve. Megjithatë ritmi i infektimeve të reja duket se është tashmë i qëndrueshëm dhe nën kontroll.

Nivelin e ulët të përhapjes së koronavirusit, pa nevojën e aplikimit të masave bllokuese, ekspertët e lidhin me disa faktorë. Ndër më kryesorët është sistemi tepër solid shëndetësor, ku autoritetet i kanë marrë paraprakisht masat për t’u përballur me një dyndje të mundshme në spitale. Ka mjaftueshëm aparatura respiratore, ndërsa në Stokholm është hapur që në ditët e para një spital i përkohshëm me çadra, për të shtuar kapacitetet akomoduese për pacientët.

Mënyra suedeze e jetesës është po ashtu e favorshme për të frenuar përhapjen e Covid-19. Më shumë se gjysma e familjeve përbëhen vetëm nga një person, çka ndihmon jashtëzakonisht distancimin social. Baret dhe restorantet nuk kanë shumë klientë natën, përveçse fundjavave. Për më tepër pavarësisht mungesës së masave bllokuese, 96% e suedezëve nuk morën pjesë në festimet masive të pashkës së këtij muaji.

Tv Klan