Si të bëni pazar gjatë pandemisë

Si të bëni pazar gjatë pandemisë

09:29 02/04/2020

Masat e ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kanë shkaktuar shumë ndryshime në rutinën tonë ditore.

Por më kryesorja është bërja e pazarit, të cilën tanimë duhet ta bëjmë përgjatë një orari të caktuar dhe duke respektuar të gjitha rregullat e sigurisë.

The Guardian jep disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të qëndroni të sigurt gjatë pazarit tuaj.

  • Mbani distancë 2 metra nga klientët dhe stafi

Qëndroni larg njerëzve përgjatë rrugës për në dyqan, si dhe brenda saj. Tregoni durim dhe mbani radhën për të marrë produktet nga raftet dhe frigoriferët, si dhe më pas në kasë për të kryer pagesën. Mos prekni sytë, hundën apo gojën pa larë duart!

  • Bëjeni pazarin vetëm, jo në grup

Sigurisht që ka përjashtime, siç janë prindërit beqarë, që nuk kanë ku ta lenë fëmijën e tyre ndërkohë që bëjnë pazar. Por mënyra më e mirë për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi është të dilni vetëm. Kjo do të çojë në pakësimin e njerëzve brenda dyqanit, duke e bërë distancën e sigurisë më të thjeshtë për ta respektuar. Mos harroni, njerëzit mund të jenë të infektuar dhe të ndiejnë simptomat e para pas 5 ditësh, por ndërkohë ata janë duke e shpërndarë pa vetëdije.

  • Blini vetëm produktet që ju nevojiten

Është normale që njerëzit janë të shqetësuar se mund të izolohen në shtëpi për 14 ditë dhe bëjnë shumë blerje. Por kjo çon në pakësimin e produkteve ushqimore dhe shëndetësore për personat që kanë nevojë për to. Gjithashtu sipas raporteve, ka rezultuar se ka patur shpërdorim të shtuar të ushqimit, pasi mund të kenë kaluar skadencën. Ndaj, nëse secili blen çfarë ka nevojë, atëherë do të ketë mjaftueshëm për të gjithë.

  • Respektoni orarin e pazarit për persona të veçantë

Shumë dyqane, duke përfshirë dhe supermarkete, po vendosin disa orare që pazari të bëhet veçanërisht për punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe persona me probleme shëndetësore, duke u munduar që t’i mbrojnë nga ekspozimi ndaj virusit. Ndaj tregoni kujdes për të shmangur kontaktin me këta persona.

  • Përdorni shërbimet online

Sa më pak persona në rrugë dhe dyqane, aq më pak mundësi ka që të shpërndahet koronavirusi. Nëse keni mundësi të merrni shërbime online që jua sjellin pazarin në shtëpi, atëherë bëjeni dhe ndihmoni në uljen e mundësisë së infektimit të popullsisë nga ky virus./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo