Kohët e fundit, mes adoleshentëve në Shqipëri, pajisjet Vape kanë marrë popullaritet. Përdorimi i këtyre produkteve nga kjo moshë është kthyer në një shqetësim për prindërit. Krahas ankesave në disa prej pikave të shitjes ku tregtimi bëhet i paligjshëm, shumë ankesa janë adresuar dhe në media që ky problem të adresohet me seriozitet nga autoritetet shtetërore. 

Por duke qenë se këto pajisje janë relativisht të reja, shumë nga prindërit shpesh nuk arrijnë t’i identifikojnë. Nga ana tjetër duke qenë se Vape nuk çlirojnë aromën karakteristike të tymit të duhanit, si rrjedhojë është më e vështirë të identifikohet kur adoleshentët i përdorin ato. Megjithatë, ka mënyra të tjera për të kuptuar nëse fëmijët tuaj adoleshentë përdorin VAPE të cilat jua listojmë në vijimësi. 

Disa nga shenjat e para që ju mund t’i dalloni lehtësisht janë ato fizike. Pra nëse vini re se fëmija juaj ka sy të skuqur e të acaruar, apo gjakderdhje nga hunda atëherë mund të jetë duke përdorur Vape. 

Diçka tjetër që duhet të tregoni kujdes është shfaqja e kollës kronike, e cila shkaktohet nga irritimi i mushkërive si pasojë e përdorimit të kësaj pajisje tek fëmijët. Bashkë me kollën mund të shihni që djali apo vajza juaj ka tendencën që të shtojë kripë apo erëza pikante në ushqime të ndryshme si pasojë e dëmtimit të aftësisë për të shijuar. Nga ana tjetër, adoleshentët që përdorin Vape kanë një etje të shtuar, diçka që ndodh pasi avulli dehidraton gojën dhe fytin. 

Shenja të tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tyre, janë fshehtësia e tepërt për të ruajtur privatësinë e tyre. Por edhe irritimi i shpejtë apo luhatjet drastike të humorit, duhet të jenë disa shenja që prindërit duhet të tregojnë kujdes dhe të jenë vigjilent. 

Këto pajisje u ngjajnë USB-ve apo pajisjeve të tjera elektronike plot ngjyra, ndaj tregoni kujdes nëse mund t’i hasni në dhomën e tyre. Nga ana tjetër, aroma e ëmbël që pajisjet Vape lëshojnë në ajër mund të jetë një tjetër tregues që fëmija juaj përdor Vape. 

Trajtuam shenjat, por çfarë mund të bëjnë prindërit nëse dallojnë që fëmija e tyre në të vërtetë po e përdor pajisjen Vape? Pyetja më e rëndësishme është nëse duhet t’i lejoni fëmijët tuaj që të përdorin këtë pajisje, dhe përgjigja është shumë e thjeshtë dhe e shkurtër, JO. Duke pasur parasysh rreziqet shëndetësore, potencialin për varësi dhe mënyrën në të cilën VAPE vepron, përdorimi i këtyre pajisjeve nuk është i sigurt për adoleshentët.

Ajo çfarë nevojitet në këto raste është që prindërit të ndërmarrin hapa për të parandaluar fëmijët e tyre nga rreziqet shëndetësore të Vape. Në veçanti, komunikimi ndërmjet prindërve dhe adoleshentëve është kyç. Ata duhet të ndihen të sigurt për t’u shprehur, dhe ajo që këshillohet është një qasje bashkëbisedimi. Është shumë e rëndësishme që prindërit para se të përballen duhet të informohen shumë për pasojat dhe t’ia paraqesin ato si informacione ose si fakte adoleshentëve dhe në të njëjtën kohë t’i edukojnë mbi rëndësinë e mos përdorimit të këtyre pajisjeve.