fidaRrudhat në lëkurë janë shqetësimi më i madh që kanë femrat dhe gjithnjë kërkojnë mënyra të ndryshme për t’i reduktuar ato. Sa më shumë rritet një femër në moshë, aq më shumë reduktohet prodhimi i kolagjenit, duke bërë që lëkura të humbasë elasticitetin e saj. Në plakjen e lëkurës ndikojnë një numër faktorësh të jashtëm, si (dëmtimi nga dielli, pluhuri, dëmtimi nga radikalet e lira, pirja e duhanit dhe alkoolit, ndryshimet e temperaturave etj) dhe faktorë të brendshëm (predispozita gjenetike, plakja kronologjike fiziologjike, mungesa hormonale, problemet e sistemit imun). Dr. Dermatologe Monika Fida ka shpjeguar më hollësit mënyrën e parandalimit të kësaj dukurie, si dhe skemat dhe planet se si mund të kemi një lëkurë të shëndetshme.

Cilët janë faktorët që çojnë drejt plakjes së lëkurës? Plakja e lëkurës dhe krijimi i rrudhave është një proces fiziologjik shumë i komplikuar, ku ndikojnë shumë faktorë, si të brendshëm dhe të jashtëm. Në plakjen e lëkurës ndikojnë një numër faktorësh të jashtëm, si (dëmtimi nga dielli, pluhuri, dëmtimi nga radikalet e lira, pirja e duhanit dhe alkoolit, ndryshimet e temperaturave etj) dhe faktorë të brendshëm (predispozita gjenetike, plakja kronologjike fiziologjike, mungesa hormonale, problemet e sistemit imun). Tërë këto faktorë, si të brendshëm dhe të jashtëm veprojne duke paraqitur kështu një lëkurë më të plakur dhe me rrudha. Nuk është veç mungesa e oksigjenit, por dhe dëmtimet nga radikalet e lira, shkatërrimi i kolagjenit, dëmtimi i fibrave të elastinës, ulja e cikleve qelizore, formimi i qelizave anormale, ulja e përmbajtjes yndyrore, defiçitet ndërqelizore, pakësimi hormonal dhe kështu tërë këto faktorë veprojnë në mënyrën se si plaket e si formohen rrudhat e lëkurës.

Si mund ta parandalojmë këtë dukuri? Për ta parandaluar deri diku këtë dukuri është e rëndësishme që çdonjeri prej nesh të kuptojë shkaqet dhe mënyrat e përkeqësimit të plakjes së lëkurës dhe formimit të rrudhave. Për shembull ndërkohë që ne e dimë se kolageni dhe elastina si përbërës thelbesor të lëkurës mund të dëmtohen si rezultat i ekspozimit të përsëritur në diell, ato përsëri pakësohen ose ndryshojnë me rritjen e moshës dhe lëkura bëhet më pak elastike. Nënvijëzojmë se ka disa preparate që ndërtojnë ose rrisin kolagjenin ose vetëm përmirësojnë elastinen. E rëndësishme është të kuptojmë që produktet dermato-kozmetike duhet të veprojnë në të dyja këto dy hallka, pasi sigurisht që ndërtesa s’mund të qendrojë në njërën këmbë.

Ku konsistojnë karakteristikat e lëkurës së plakur? Një karakteristikë e lëkurës së plakur është që lëkura e personave të rinj përmban më shumë qeliza yndyrore se lëkura e personave me moshë më të madhe. Kjo është një arsye pse lëkura e plakur duket më transparente dhe më e hollë se lëkura e moshave të reja.

Komponentë të tjerë të lëkurës ndryshojne me moshën. Mbajtja e ujit në lëkurë dhe përbërja e lekurës si keramidet, acidi hialuronik, polisaharidet, glicerina etj, ndryshojnë me moshën. Lëkura e plakur është gjithashtu më e ndjeshme ndaj reaksioneve alergjike, më sensitive dhe irritohet më shpejt se sa lëkura e re dhe kjo si rezultat i dobësimit të sistemit imun.

Përse lëkura e thatë duket më e rrudhur? Lëkura e thatë nuk do të thotë që është një lëkurë me rrudha, pasi për shembull fëmijët me lëkurë shumë të thatë nuk kanë rrudha ose personat me lëkurë të yndyrshme mund të jenë kontigjent pacientësh që u drejtohen mjekëve kirurg- estetistë për trajtimin e rrudhave. Lëkura e thatë mund të duket më e rrudhur, por jo që ka shenjë barazimi ndërmjet këtyre të dyjave. Lëkura e rrudhur në pamje të parë duket shumë më mirë nëse ne thjesht aplikojmë nje krem hidratues. Pra formimi i rrudhës është një proces kompleks dhe nuk varet nga lloji i lëkurës që personi ka. Një person me lëkurë të yndyrshme ka një lëkurë që realizon vetë deri diku zbutjen e saj (hidratimin), pra përmban përbërës yndyror ose ujë, gjë e cila ndihmon që lëkura të duket më e lëmuar dhe e hidratuar edhe pa ndihmën e një kremi hidratues. Është fakt që hidratimi i lëkurës me kremra nuk ka efekt shumë të gjatë në rrudhat.

Si mund të kemi një lëkurë sa më të shëndetshme? Nëse qëllimi juaj është që të keni një lëkurë sa më të shëndetshme dhe të dukeni në një moshe 30 – vjeçare edhe kur ju jeni 50, atëherë duhet t’i përmbaheni planeve ekzakte duke luftuar fort agjentet e jashtëm dëmtues të lëkurës. Këto plane dhe skema trajtimi të shtrira në kohë planifikohen nga mjeku juaj dermatolog në bashkëpunim me ju. Është pikërisht kjo që duhet të bëni, të ndërtoni një strategji dhe plan për të parandaluar plakjen e lëkurës. Sot ekzistojnë dhe përdoren gjërësisht një sërë procedurash që mund t’ju ndihmojnë të mbani lëkurën në gjendjen e tanishme për disa vite rresht ose të tentoni të hiqni disa vite prej lëkurës tuaj. Ka disa hapa që duhet të ndërmerren nga ju për një lëkurë të shëndetshme dhe të re pavarësisht nëse ju jeni në moshën 20 ose 50 – vjeçare.

Doktoreshë përmendën se faktorët që ndikojnë në plakjen e lëkurës mund të ndahen në faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, por ekziston edhe nëngrupi i quajtur i kontrollueshëm. Cilët janë faktorët dëmtues të kontrollueshëm? Po, faktorët që ndikojnë në plakjen e lëkurës mund të ndahen në faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Megjithatë do të ishte më mirë për ç’donjerin nga ne që t’i përmbahet tabeles së mëposhtme dhe të mundohej të eleminonte sa më shumë faktorët dëmtues që grupohen në nëngrupin të kontrollueshëm.

 

Faktorë të kontrollueshëm Faktorë të pakontrollueshëm
AlkooliPirja e duhanitDietat e rënda

Dehidrimi

Dieta e njëanshme

Stërvitja dhe ushtrimet periodike të sforcuara

Produktet e lëkurës dëmtuese

Ndotja dhe pluhuri

Gjumi

Stresi

Rrezatimi diellor

Plakja fiziologjikeSëmundje të ndryshme veçanërisht endokrinologjikeShprehja e fytyrës, mimika

Gjinia

Gjenetika (grupi etnik, lëmueshmëria dhe ndërtimi i lëkurës dhe fibrave elastinës e kolagenit.)

Hormonet

Plagosjet dhe dëmtimet e ndryshme

Reaksione të fotosensibilitetit.

Në moshën 20 – vjeçare Kujdesi më i rëndësishëm për lëkurën pavarësisht se në ç’moshë jeni është të përdorni krem mbrojtës kundra diellit çdo ditë, pavarësisht moshës tuaj. E rëndësishme është të kuptoni që ju merrni më shumë se 80% të rrezatimit total të jetës përpara moshës 18  – vjeçare. Duke përdorur kremin me faktor mbrojtës kundra diellit gjatë gjithë jetës, jo vetëm që parandaloni shenjat e plakjes së lëkurës, por gjithashtu ju mbron edhe nga zhvillimi i kancerit të lëkurës më vonë. Kërkoni gjithnjë për krem mbrojtës me faktorë, si UVA dhe UVB me faktor mbrojtës SPF 15 ose më të lartë. Shumë produkte, si kremra dite, fondatinë ose pudër kompakte përmbajnë faktor mbrojtës ndaj diellit SPF.

Para moshës 20 – vjeçare ndodh të shfaqen probleme me aknet, çfarë rekomandohet? Pas moshës 20 – vjeçare dhe përpara kësaj moshe ju mund të vëreni aknet si problem shqetesues. Atëherë konsultohuni me mjekun tuaj dermatolog dhe pse jo me një mjek gjinekolog për të bërë një eko të strukturave gjinekologjike, për të parë nëse ekziston ndonjë cist ovari dhe të diskutohet plani i luftës ndaj tyre (ndoshta duke përdorur kontraceptivët oral). Lufta kundër akneve është një luftë që kërkon një bashkëpunim të rregullt me dermatologun.

Çfarë pastruesi duhet të përdoret për aknet? Mund të përdorni një pastrues të lehtë me përbërës kundër akneve që realizojnë disi një tharje të lëkurës, por jo më shumë larje se 2 herë në ditë. Rekomandohet larja e lëkurës me to veçanërisht në mëngjes e në darkë kur ju hyni në shtëpi dhe mund të shoqërohet me përdorimin e produkteve të tjera antiakne sipas planit që dermatologu juaj ka përgatitur veçanërisht për ju, për lëkurën tënde dhe stadin e aknes. Solucionet ose sapunet antiakne mund të kenë përmbajtje squfuri, acidi salicilik, benzil peroksidi etj.,

Por mos harroni se çdo krem hidratues, solar ose fondatin mund të përkeqësojë aknen. Këto produkte duhet të jenë “oil free”, (pa yndyrë), “non comedonogenic”, (jo komedonogjenik).

Nëse ju jeni të shqetësuar për shenjat e aknes atëherë dermatologu juaj do të përcaktojë skemën e trajtimit të tyre nëpërmjet procedurave “peeling”, mikrodermoabrazion, dermaabrazion, dermarroller, laser të fraxionur, injeksione plazme (PRP).

Rrudhat e para në lëkurë dhe trajtimi i tyre mund të fillojë që në moshën 23 – vjeçare.

Në moshën 30 – vjeçare Kur individi kalon në moshën 30 – vjeçare shumica vërejnë se lëkura e tyre është më pak e yndyrshme dhe mund të jetë më e thatë ose me skuama në disa zona. Megjithatë në disa persona mund të vërehen edhe akne. Nëse keni të tilla është mirë të konsultohuni me dermatologun duke përdorur produkte jo komedonogjenike “oil free”. Lëkura në moshën tuaj 30 – vjeçare shpesh mund të jetë “konfuze”, e yndyrshme në një moment dhe e thatë në një tjetër. Këshilla më e mirë është të përdorni produkte që nuk e irritojnë atë dhe që përmbajnë antioksidantë siç janë vitaminat që përmirësojnë dhe parandalojnë dëmtimet e mëtejshme. Kremi i ditës është një domosdoshmëri dhe sigurisht siç është përmendur më sipër duhet mbrojtje ndaj rrezatimit të diellit.

Po trajtimi i rrudhave rreth syve sa herë në ditë rekomandohet? Trajtimi i rrudhave rreth syve është i domosdoshëm dy herë në ditë në mënyrë që të parandalohet një thellim i mëtejshem i tyre. Procedurat “peeling” gjatë periudhës së dimrit rekomandohen në mënyrë që të realizohet një nxitje e mëtejshme e fibroblasteve dhe të eleminohen disi dëmtimet e lekurës nga rrezatimi diellor i verës. Procedura të tjera të rekomanduara në varësi të gjendjes së lëkurës dhe nevoja individuale mund të jenë: mesoterapia, injeksionet e plazmes (PRP), aplikimi i laserit të fraksionuar. Volumi dhe hidratimi i buzëve në moshën 35 – 40 vjeçare është më i pakësuar gjë e cila mund të korigjohet me disa injeksione të pakta si acidi hialuronik. Bëhet fjalë për të ruajtur hidratimin dhe shkëlqimin e jo për të rritur ndjeshëm volumin.

Në moshën 40 – vjeçare Prodhimi i yndyrës në këtë moshë ulet ndjeshëm, ç’ka do të thotë që është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme të përdorni kremra hidratues për lëkurën tuaj. Në këtë moshë rrudhat rreth gojës dhe syve mund të bëhen të dukshme. Kjo është një kohë e përshtatshme të fillohen domosdoshmerisht produkte me alfa hidroksi acide (AHA), në mënyrë që të eleminoni shtresën e sipërme të qelizave të vdekura të lëkurës, duke e bërë lëkurën tuaj të duket më e re dhe më e freskët. Këto produkte duhet të përdoren vetëm gjatë muajve të dimrit, absolutisht jo në verë. Gjithashtu dermatologu juaj mund të planifikoje regjimet tuaja ditore, javore e mujore të trajtimit dhe të produkteve të lëkurës që nevojiten duke filluar nga kremi hidratues me faktor mbrojtës, fondatina, mbrojtja rreth syve, produktet pastruese, gomazhi ose skrub, si dhe procedurat “peeling” me produkte acidesh në përqendrime të larta në klinika të specializuara.

Nëse paraqitja e rrudhave dhe vijëzimeve të lehta rreth syve dhe rreth buzëve është shumë shqetësuese për ju atëhereë është koha për të marrë në konsideratë përdorimin e acidit hialuronik ose të ndonjë produkti fillers tjetër ose toksines së botulines (Botoks). Procedura të tjera për mirëmbajtje të lëkurës që aplikohen shumë në këtë grupmoshë dhe që realizojnë përmirësim të dukshëm, por dhe mirëmbajtje të lëkures janë: Mesoterapia, PRP injeksione plazme, lazer i fraksionuar, radiofrekuenca, dermaroller. Gjithsesi këto procedura duhet të aplikohen vetëm nga mjekë dermatolog ose kirurg plastik të kualifikuar dhe me eksperiencë në këtë fushë.

Në moshën 50 – vjeçare Lëkura juaj humbet volumin dhe tonifikimin. Shumë prej jush mund të vërejnë ç’rregullime të ngjyrës (Hiperpigmentime), si dhe “shenjat e moshës”. Këto parashtrojnë domosdoshmërisht nevojen e konsultës tek mjeku dermatolog, pasi mund të jenë elemente të keratosis aktinike që në vetvete është një prekursor i kancerit të lëkurës. Ju mund të vëreni rreth kësaj moshe skuqje persistente rreth mollëzave dhe hundës ç’ka mund të jetë rozacea, një patologji që kërkon trajtim dhe një mbrojtje të lartë ndaj diellit. Sigurisht që në planet tuaja të trajtimit duhet të përfshihen kremrat me AHA ose BHA gjatë dimrit, procedurat “peeling” kimik, si dhe laser terapite. Është periudhë që domosdoshmërisht shoqërohet me aplikimine Fillers, Botoks, si dhe fijeve të absorbueshme të injektuara për të realizuar volumin e humbur, pamje sa më të re të qafes, gushës e lëkurës së lëshuar. Procedura të tjera për mirëmbajtje të lëkurës: Mesoterapia, PRP injeksione plazme, lazer i fraksionuar, radiofrekuenca të shtrira në harkun kohor.

Në moshën 60 – vjeçare Sigurisht që lëkura përmban shumë rrudha dhe vetëm hidratimi dhe ushqyerja është sigurisht shumë pak për të. Nevojiten rreth kësaj moshe procedura më invazive, si për shembull rigjenerim më i thellë  me lazera kirurgjikal CO2 ose erbium për eleminimin e rrudhave, dëmtimeve të plakjeve të lëkurës. Terapitë me lazer realizojnë trajtimin e rrudhave të lehta, si dhe hiperpigmentacioneve. Por lëkura në këtë moshë kërkon përdorimin e produkteve fillers, fijeve të absorbueshme, si dhe të botoksit.

Në çdo moshë Pavarësisht se cilës moshë i përkisni regjimi juaj duhet të përmbajë mbrojtje ndaj diellit me krem me faktor, si dhe të pini sa më shumë ujë gjatë ditës në mënyrë që të hidratoni lëkurën tuaj dhe të largoni toksinat nga organizmi. Procedurat e kombinuara realizojnë një përmirësim më të mirë të lëkurës tuaj.

Intervistoi: Vilma Kërçiku