Ekzema mund të jetë jashtëzakonisht irrituese dhe e dhimbshme për njerëzit që vuajnë nga kjo gjendje e lëkurës. Ndërsa hyjmë në vjeshtë moti bëhet më i ftohtë dhe duhet të kujdesemi për lëkurën tonë.

Ekzema është një gjendje e lëkurës që e bën atë të irrituar, të skuqur, të thatë dhe të plasaritur.

Kjo është një gjendje afatgjatë e cila mund të përmirësohet ose të zhduket krejtësisht me kalimin e kohës, por disa pacientë mund të përjetojnë plasaritje të lëkurës gjatë gjithë jetës së tyre.

Ekzema dhe sëmundje të tjera të lëkurës si psoriasis, mund të jenë më zhvilluara në vjeshtë dhe në dimër kur moti bëhet më i ftohtë, prandaj është e rëndësishme që të kujdeseni për lëkurën duke minimizuar simptomat.

Për shkak të motit lëkura mund të bëhet e skuqur dhe e dehidratuar. Dehidratimi i lëkurës ndodh edhe për shkak të ekspozimit ndaj rrezeve të diellit dhe nxehtësisë për një kohë të gjatë.

“Vjeshta është koha më e mirë për të riparuar dhe përtërirë lëkurën pas dëmtimit gjatë muajve të verës si edhe një kohë ideale për të përgatitur lëkurën ndaj ashpërsisë së motit në dimër”, tha Dr Jennifer Crawley, dermatologe.  “Për këtë arsye hidratimi është çelësi”, tha ajo.

Crawley këshillon përdorimin e kremrave në vend të locioneve, pasi kremrat janë më shumë hidratues për lëkurën.

Ajo gjithashtu rekomandon produkte me përbërës natyralë, sidomos nëse lëkura juaj është e ndjeshme.

Edhe më mirë se kremet janë pomadat. Pomadat janë trajtime hidratuese të aplikuara direkt në lëkurë për të zvogëluar humbjen e ujit dhe krijojnë një shtresë mbrojtëse./tvklan.al