Shqiptarët kanë kryesisht trupa të formuar. Femrat dhe bukuria e tyre shpesh komentohet si e veçanta nga ajo e popujve të tjerë. Por sa rëndësi i kushtojnë shqiptarët mbajtjes së trupit në formë?

Me kalimin e viteve ky kujdes ka qenë i ndryshëm. Gjatë kohës së mbretërimit të Zogut aktivitetet sportive njohën një gallërim. Në vitin 1938, në 10 vjetorin e monarkisë, u zhvillua një garë noti, e cila synonte të krijonte një traditë.

Ndërsa në Insititutin “Nëna Mbretëreshë” aktiviteti sportiv kultivohej, kur nuk ishte aspak e zakonshme të shihje femrat të zhvillonin një ndeshje basketbolli, ndonëse me pak kosha të shënuar.  

Me ardhjen e regjimit komunist aktiviteti sportiv, përveçse për lojtarët profesionistë, nuk ishte një kulturë, aq më tepër nëse sjellim në vëmendje fiskulturën para institucioneve, që marrëdhëniet me Kinën i trashëguan Shqipërisë.

Në fakt kulturë sportive nuk kishte, por trupat ishin në formë. Ndoshta edhe për shkak të stërvitjeve ushtarake të stimuluara dhe të detyrueshme. Bëhet fjalë për zborin, ku nevojitej shpejtësi, shkathtësi, qëndrueshmëri, guxim dhe kalitje e lartë moralo-fizike.

Me rënien e regjimit komunist shumë u larguan nga Shqipëria dhe filluan të përqafonin një stil tjetër jetese, ku kujdesi për veten ishte gjithnjë e më shumë i pranishëm. Por po aq edhe efektet e një bote po të re që iu shfaq shqiptarëve, sikurse ishte dhe obeziteti.

Kilogramët e tepërt u kthyen shpejt në makth dhe filluan dietat, palestrat lulëzuan si një biznes i ri, pavarësisht se tani janë dhe një modë për shumë njerëz.

Për të diskutuar mbi mbajtjen e trupit në formë në emisionin “Opinion” ishin të ftuar gazetari Ylli Rakipi, dietologia Blerina Bombaj, gazetarja Viol Xhafaj, deputeti i PS Andis Harasani, aktorja Anila Bisha, kreu i FRPD Gerti Bogdani, gazetarja Iva Tiço dhe aktorja Niada Saliasi./tvklan.al