Riciklim është procesimi i materialeve të përdorura për t’i kthyer në produkte të reja, në mënyrë që të reduktohet përdorimi i materialeve të dobishme. Kohët e fundit ky proces ka një zhvillim të gjerë në shumë fusha industriale. Mbetjet si hekur, çelik, bakër, plumb, letër, plastikë, alumin, xham dhe të tjera të ngjashme me këto janë mbetje të riciklueshme.

Përafërsisht 60 % e mbeturinave sot mund të riciklohen. Riciklimi i aluminit ruan 95% të energjisë së nevojshme që duhet për të prodhuar nga lëndë të para. Riciklimi i një kanaçeje alumini kursen energjinë që përdor një llambë 100 vat për 20 orë, një kompjuter për 3 orë ose një televizor për 2 orë.

Riciklimi sa vjen e po bëhet më i zhvilluar në fushat industriale. Por nga riciklimi i letrës, i qeses plastikës apo drurit dhe jo vetëm mund të sjellim edhe objekte apo veshje të kthyera në vepra arti, apo në produkte të veçanta funksionale.

Dhe për të folur pikërisht për këtë temë ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, gjeologu Sazan Guri, arkitektja Pezana Rexha, shefi i kuzhinës Bledar Kola dhe Miss Shqipëria 2018, Alba Bajrami.

“Riciklimi është menaxhimi i diçkaje që ka vlerë akoma. Plastik vjen nga nafta, kur ti e flak atë ndot 1 hektarë tokë, e njëjta gjë ndodh edhe me plastikën, e cila tretet për 300 vjet dhe ky është një dëm shumë i madh që i bëhet tokës”,

tha Sazan Guri.

“Ka një tendencë të gjërë për të ripërdorur dhe kjo ka hyrë në Shqipëri. Ka shumë studime që tregojnë që në 30 vitet e ardhshme, nëse ne vazhdojmë me konsumin e zakonshëm, fundi është shumë i afërt. Nëse ne nuk tregohemi të zgjuar sot është e pamundur që të kemi një të ardhme të mirë. Jemi konsumatorë të madhej dhe pa inteligjencë, por çdo gjë që kemi mund ta ripërdorim”,

tha Pezana Rexha.

“Çdo kuzhinier duhet të ndihet përgjegjës për riciklimin, sepse nëse ndotja e natyrës shtohet kjo ndikon tek ushqimi, tek lënda e parë. Ne po përpiqemi të eliminojmë plastikën kudo ku është e mundur”,

tha Bledar Kola.

/tvklan.al