Obeziteti tek fëmijët është një shqetësim për të gjithë prindërit. Për t’i mbajtur fëmijët në formë e me trup të shëndetshëm, prindërit duhet të kenë parasysh disa hapa që iu vijnë në ndihmë.

– Mos i shpërbleni fëmijët kur sillen mirë apo kur doni t’u bëni qejfin, me çokollata ose ushqime të thata që ata mund t’i pëlqejnë. Provoni zgjidhje të tjera për t’i shpërblyer apo për t’i motivuar.

– Mos i detyroni ata ta mbarojnë të gjithë pjatën me ushqim. Prindërit duhet të kuptojnë kur fëmijët janë vërtetë të uritur dhe kur janë ngopur dhe kanë ngrënë mjaftueshëm. Mbani ndër mend që është mirë që fëmijës t’i jepni për të ngrenë kur është i uritur dhe jo herë pas here.

– Mos i klasifikoni ushqimet si “ushqime të këqija” pasi kjo mund të rezultojë si një “sfidë” për ta dhe të kërkojnë pikërisht ato ushqime. Mundohuni që t’i eliminoni në forma të buta dhe pa i vënë re ata.

Këshilla shtesë në varësi të moshës

Deri në 1 vjeç: Përveç shumë përfitimeve shëndetësore, ushqyerja me gji mund të ndihmojë në shmangien e mbipeshes. Foshnjat në gji mund të jenë më të afta të kontrollojnë sasinë e qumështit dhe të pinë kur janë të uritur dhe kur kanë nevojë.

1-5 vjeç: Ajo që është kryesore, është që fëmija të mësohet të hajë mëngjes të shëndetshëm rregullisht. Gjeni mënyra interesante për t’i bërë ata të provojnë të gjitha ushqimet e shëndetshme, por mos harroni që të krijoni hapësirë edhe për aktivitet fizik përmes lojërave për t’i bërë sa më aktivë.

6 deri 12 vjeç: Inkurajoni fëmijët të jenë aktivë çdo ditë, qoftë përmes një aktiviteti sportiv, not, futboll, etj., ose përmes lojërave me fëmijë të tjerë. Ecja duhet të jetë e përditshme për ta.

13 deri 18 vjeç: Adoleshentët e duan ushqimin e shpejtë, por prindërit duhet të përpiqen t’i drejtojnë ata drejt zgjedhjeve më të shëndetshme, siç janë sanduiçet e përgatitur në shtëpi me pulë ose perime, sallatat dhe ushqime të lehta ndër vakte. Mësojuni atyre se si të përgatisin vetë ushqime të shëndetshme dhe të shijshme në shtëpi. Sigurisht, mos harroni që ata të kenë aktivitet të përditshëm fizik.

Nëse ushqeheni mirë, keni aktivitet të rregull fizik, krijoni zakone të shëndetshme në jetën e përditshme të familjes, atëherë patjetër që modeli juaj do të ndiqet nga fëmijët. /tvklan.al