Si u arrestua inxhinieri që kishte punuar në të gjitha veprat e 5-vjeçarëve të komunizmi (Emisioni 11 – Sezoni 3)

Si u arrestua inxhinieri që kishte punuar në të gjitha veprat e 5-vjeçarëve të komunizmi (Emisioni 11 – Sezoni 3)

Autori: Pandi Laço

14:46 03/04/2011

Histori me zhurmues – Shkëlqim Bumçi është një nga inxhinierët që ka punuar në të gjitha veprat 5-vjeçare të komunizmit, deri në momentin e arrestimit. Ai ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.

Ai ka marrë pjesë në ndërtimin e Uzinës së rafinimit të bakrit në Rubik, uzinës së superfosfatit në Laç, kombinatit të drurit në Laç dhe në fabrikën e çimentos në Fushë Krujë.

“Pas diplomimit si inxhinier unë kam punuar tek “21 Dhjetori” si inxhinier zbatimi dhe më vonë si kryeinxhinier në ndërtimet në Tiranë. Një punë shumë të madhe në atë kohë bëri edhe rinia e vendit tonë. Kombinati Metalurgjik është një nga kantieret më të mëdha të vendit tonë, brenda kishte 1500 specialistë dhe 2000 vullnetarë.

Në një fushë mund të ishin 16 mijë veta dhe punohej me tre turne. Më 3 Dhjetor unë u shkarkova dhe urdhëri ishte të paraqitesha në Berat si inxhinier i thjeshtë. I shkruajta letër Enver Hoxhës dhe pas 3 ditësh më thërriti Adil Çarçani dhe Pali Miska dhe më thanë që të kemi shkarkuar për të meta dhe dobësi. U bë mbledhja e organizatës dhe kishin dërguar një ekip me 60 veta për përjashtim. Askush nuk ishte dakort dhe nuk u mor asnjë vendim. Përfundimisht sekretari i parë më tha dorëzo teserën e partisë dhe po të kesh ankesa drejtohu tek Enveri. Pas shkarkimit më çuan në Berat. Gjyqi që mu bë në Elbasan ishte një epope më vete, nuk pranova asnjë nga akuzat dhe aty që përplasja e parë me prokurorinë. 13 muaj e 15 ditë kam qëndruar në izolim.

Pas një përplasje 5 ditore ranë të gjitha akuzat një nga një dhe për herë të parë prokurori tërhoqi akuzën. Më pas më dënuan me 25 vite burg. Hetuesia zgjati 30 muaj. Më vjen keq edhe sot e kësaj dite që pas 30 muajsh izolim mora vesh që im vëlla nuk ishte më. Nga presioni i madh ai kishte vrarë veten dhe kjo e bëri burgun tim të hidhur. Por nuk mbaroi me kaq, unë isha vetëm 500 metra larg shtëpisë dhe jo vetëm që nuk shkova në varrim, por e mora vesh ngjarjen pas një viti. Kjo është për të ardhur keq. Po kështu humba edhe nënën dhe këto ishin dy gjëra të dhmbshme që lanë gjurmë”, tregoi Shkëlqim Bumçi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Autori: Pandi Laço

14:46 03/04/2011
Grupi