Spanja ka shënuar deri në këto momente mbi 5 mijë të vdekur për shkak të koronavirusit. Por si u bë ky vend një prej vatrave të koronavirusit në Europë. Disa fajësojnë motin, ndërsa të tjerë shkojnë tek ndeshjet e Champions Leagues, shtëpitë në plazh e deri tek kultura e kafeneve.

Virulenca dhe vdekshmëria nga koronavirusi varet shumë nga fakti se kjo sëmundje do disa ditë që të shfaqë simptomat. Por një nga arsyet kryesore është fakti që qeveritë europiane i morën masat pasi u shkaktua dëmi, një prej tyre edhe Spanja.

Në Spanjë deri më tani llogariten mbi 54 mijë raste aktive të virusit. CNN shkruan se disa ekspertë “fajësojnë” 19 Shkurtin. Por çfarë ndodhi në këtë datë?

Afërisht 3 mijë tifozë të skuadrës së Valencias udhëtuan nga Spanja në Milano për të shikuar ekipin e tyre të zemrës teksa luante përballë Atalantës për ndeshjen e Champions League.

Në San Siro ishin të pranishëm rreth 40 mijë tifozë italianë, shumica prej tyre nga Bergamo dhe qytetet përreth, zona më e prekur nga koronavirusi në Itali.

“Ka shumë mundësi që atë natë të jetë shpërndarë virusi”, tha kryebashkiaku i Bergamos Giorgio Bori, sipas të cilit përveç stadiumit, shumë njerëz po e shihnin ndeshjen në shtëpi familjarisht, në grupe dhe nëpër kafene.

Edhe imunologu Francesco Lo Foche është i të njëjtit mendim. Dy ditë pas ndeshjes në Codogno, 60 kilometra larg Bergamos, një 38-vjeçar i njohur si “pacienti 1” u diagnostikua me virusin. Por sipas specialistëve deri atëherë virusi ka qenë në lëvizje në Itali.

Deri sa u zbulua rast i parë tifozët e Valencias ishin kthyer në shtëpi. Njëri prej tyre ishte edhe gazetari sportiv Kike Mateu. Ai tha për CNN se katër ditë pasi ishte kthyer kishte pasur kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Disa ditë më vonë kishte vendosur që të shkonte në spital pasi kishte pasur një shpërthim me raste në Lombardi.

Më 27 Shkurt, në Valencia kishte gjashtë raste të reja me koronavirus. Tre ditë më vonë një vizitor nga Portugalia rezultoi pozitiv me koronavirus pasi ishte kthyer nga Valencia.

Sëmundjen, gazetari sportiv ia kaloi edhe katër kolegëve ndërsa skuadra e Valencias raportoi më vonë se një e treta e lojtarëve dhe stafit rezultoi pozitiv me virusin.

Javën e parë të Marsit, ministri i Shëndetësisë në Spanjë, urdhëroi që ndeshjet e futbollit të mbahen pa tifozë. Megjithatë në aspekte të tjera, jeta në Spanjë mbeti normale. Baret, kafenetë ishin të hapura, moti i mirë bëri që spanjollët të mblidheshin nëpër vende të ndryshme.

Më 8 Mars u lejua një protestë masive për të drejtat e grave. Dy ministre femra që kishin qenë pjesëmarrëse rezultuan pozitive për koronavirus. Partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për faktin që i la këto evente të ndodhnin.

U desh një javë më vonë që Spanja të mbyllte shkollat dhe universitetet. Megjithatë mijëra studentë filluan të shijonin pushimet. Madrilenët u larguan nga kryeqyteti për shkak të rregullave të ashpra.

Disa ditë më vonë policia i bëri thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë për turizëm pasi mund të shpërndanin virusin. Por ky urdhër nuk u zbatua kudo njësoj, sidomos në Katalonja, që njihet për rivalitetin me qeverinë.

Në fakt, Spanja ka qenë shumë larg për ta mbajtur impaktin e koronavirusit. “Kuptojmë që masat tashmë janë të pamjaftueshme, ndërkohë që një javë më parë na dukeshin të ekzagjeruara. Kufizimi i lirisë, është diçka që një qeveri demokratike do ta ushtrojë kur të jetë e nevojshme tha kryeministri Sanchez gjatë sesionit parlamentar.

Tashmë Spanja sheh pasojat edhe në ekonominë. Shteti iberik po kërkon më shumë veprim nga BE-ja për rimëkëmbjen financiare. Ndërkohë qeveria do të paditet nga një avokat në Madrid për faktin që lejoi të ndodhte protesta e 8 Marsit. Ndërkohë gazetari Kike Mateu, njësoj si mijëra spanjollët e tjerë që po shërohen nga COVID-19 është i nevrikosur.

Në vend që të izolonin njerëzit, qeveria i ftoi të dilnin në rrugë. Kjo është një përgjegjësi e madhe”, është shprehur ai./tvklan.al