Pandemia e vitit të kaluar ka rritur numrin e milionerëve në botë. Më shumë se 5 milionë njerëz janë bërë milionerë gjatë vitit të kaluar. Aktualisht në botë ka rreth 56 milionë milionerë.

Analiza është bërë nga banka Credit Suisse, sipas të cilës, SHBA ka më shumë milionerë, 39% të totalit në botë. Pas Amerikës, renditet Kina me 9%, Japonia me 7%, Gjermania me 5% dhe Britania e Madhe me 4%.

Credit Suisse thotë se numri i milionerëve po rritet për disa arsye. Së pari është rritja e çmimit të shtëpive. Së dyti, rimëkëmbja e tregjeve të aksioneve në të gjithë botën pas pandemisë ka bërë që të rriten edhe investimet në vlerë.

Shumë prej milionerëve të rinj kanë përfituar edhe forcimi i mondhës në shtetet e tyre kundrejt Dollarit të dobësuar.

Pra, gjatë pandemisë pasuria globale u rrit me 7.4%. Por kjo nuk do të thotë që njerëzit janë më të pasur. Totalisht e kundërta. Është thelluar akoma më shumë hendeku mes të varfërve dhe të pasurve përgjatë vitit 2020.

Ekspertët thonë se gjatë pandemisë, familjet e pasura patën më shumë mundësi për të grumbulluar kursime, ndërsa familjet e varfëra humbën kursimet që kishin ose kanë marrë borxhe. /tvklan.al