Një drekë në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes, dalja në makinë dhe një aksident i improvizuar. Duket se ekzekutorët e 41-vjeçarit Everest Çaka e kishin organizuar mirë planin e tyre për vrasjen që u krye mbrëmjen e së martës (11 Maj) në Elbasan.

Gazetari Fatos Salliu ka raportuar detaje të reja nga ngjarja e rëndë. Bashkëshortja e viktimës, Silvana Çaka, e cila ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, ka dhënë dëshminë e saj në polici pas vrasjes që iu bë në prezencë të saj burrit. Çaka ka thënë para policisë se pasi kanë dalë nga banesa e shtëpisë së prindërve të saj i janë drejtuar mjetit të tyre.

Teksa ishin në mjet, ekzekutorët kanë improvizuar një aksident ku e kanë goditur nga mbrapa makinën e çiftit. Kështu ata e kanë pasur më të lehtë që ta ndalonin 41-vjeçarin. Më pas janë afruar dhe xhami në krahun e Everest Çakës ka qenë i hapur. Kjo ka mjaftuar që ata ta qëllojnë lirshëm duke e lënë të vdekur në vend atë dhe duke plagosur më një plumb në dorë bashkëshorten e tij.

Sipas gazetarit Fatos Salliu janë lëshuar të paktën 15 plumba në drejtim të Çakës. Dyshimet paraprake janë se autorët kanë përdorur një armë me silenciator. Ata janë larguar dhe mjetin e tyre e kanë djegur në afërsi të Kavajës.

Deri më tani për ngjarjen janë shoqëruar rreth 20-25 persona në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes, sipas gazetarit. Pista kryesore që po ndjek policia për hetimin është ajo hakmarrjes pasi edhe e kaluara e viktimës lidhet me disa vrasje që janë kryer në qytet./tvklan.al