Histori me zhurmues – Në vitin 1962 radiot dhe televizionet u bënë mjete të fuqishme informacioni dhe argëtimi. Por në atë kohë një radio merrej me autorizim.

Ali Çetaku një nga specialistët e radioelektronikës, mësues dhe i pari që ka prodhuar radion e markës shqiptare ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, nga ku rrëfeu detaje lidhur me prodhimin e radios së parë shqiptare.

“Në Shqipëri radiot vinin nga jashtë deri në vitet 1966. Natyrisht që edhe hapi financiar i sjelljes së radiove ishte i vogël, 3.000 deri në 3.500 radio. Nevojat e qytetarëve kërkonin shumë më tepër.

Një autorizim nuk mund ta merrte çdo qytetar, ato jepeshin nëpërmjet komunitetit ekzekutiv dhe jo të gjithë mund ta blinin. Në vitet 65-66 pata një moment bisede me drejtuesit e pushtetit lokal dhe më thanë që do hiqeshin autorizimet. Ishte fjala për t’i prodhuar në vend. Për të krijuar një radio kishte shumë vite që kishte filluar të punohej. Në Durrës lindi dëshira për të bërë një radio. Që të prodhohej një radio duheshin instrumenta matëse dhe ne filluam t’i ndërtonim vetë këto dhe arritëm të ndërtojmë radiostacionin e parë lokal në Durrës. I hymë një aventure, apo një kompleksiteti për fizikën. Kërkohej politeknizimi i shkollës. Seksioni i arsimit mori tre laboratorë dhe ne i zbërthyem të gjitha me specialistët dhe filluam punimin nga format me bronx dhe alumin dhe kaluam në një hop cilësor në këto laboratorë. Këtë cikël e mbyllëm me një sesion shkencor të elektronikës së zbatuar. Kjo na dha besim dhe në ’66 u futëm në këtë fushë. U krijua një bazë dhe u punësuan gati 180 persona. Për të krijuar bindje që ne mund ta bënim këtë kemi krijuar 100 radiot e para. Më 1 Janar 1967 u krijua uzina në Durrës dhe u quajt “NISH EMD”. Më 1971 është prodhuar edhe televizori i parë “Iliria”.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al