Këtë të enjte në emisionin “Opinion” u diskutua mbi figurën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ish-konsulli i Shqipërisë në Stamboll, Ermal Kaleci, tregoi për marrëdhënien që Erdogan ka pasur me Fetullah Gylen.
Në fillim, Gyleni, i cili fitoi famë si predikues fetar, ka pasur marrëdhënie të mira me Erdoganin. Ai e ndihmoi që partia e tij, AKP, të vijë në pushtet. Megjithatë më vonë, mes tyre ka pasur një “krisje”. Kaleci u shpreh se kjo përplasje ka nisur në vitin 2011 dhe goditjen përfundimtare e ka pasur me grushtin e shtetit në vitin 2016.
Ermal Kaleci, ish-konsull i Shqipërisë në Stamboll: Teologu Fetullah Gylen ka pasur raporte të mira me të gjithë politikanët turq. Duke vazhduar nga Turgut Ozal, Sulejman Demirel. Ai është larguar pas vitit ’98. Është shpërngulur nga Turqia dhe është zhvendosur në Pensilvani të SHBA-së. Drejtonte një rrjet shkollash dhe kryesisht në arsim. Jo vetëm, siç themi Fetullah Gylen, por në Turqi ka edhe grupime të tjera fetare. Kanë fondacione dhe kanë influencë. Ai (Gyleni) ka pasur marrëdhënie me gjithë politikanët.
S’mund ta them që kanë pasur një raport të jashtëzakonshëm, por (Erdogan dhe Gylen) kanë qenë bashkë. Nuk ka pasur asnjë problem derisa, mos gaboj, në vitin 2011 filloi një marrëdhënie e tensionuar politike ku grupimi i Gylenit, sipas mediave turke, kërkoi përqindje në deputetë, në arsim, në gjyqësor, në polici. Aty fillon krisja. Në vitin 2011, ata ndahen në heshtje dhe merr një kërcënim Erdogan duke i thënë ‘ti do humbësh zgjedhjet, pa mua je askushi’. Në vitin 2011, Erdogani merr rezultatin 21 milionë vota. Ka një kërcim. Pastaj vjen në vitin 2013 ku filloi hetimi dhe nga policia për administratën Erdogan. Pastaj filloi me gjyqësorin në 2015 dhe përfundoi më së fundmi me grushtin e shtetit në vitin 2016. /tvklan.al