Në 27 Janar 2019 në aksin rrugor Fier-Seman rreth orës 19: 45, Arif Xhafa u përplas në pragun e shtëpisë nga një makinë dhe humbi jetën. Babai i Arifit tregon se si e gjeti djalin të mbuluar në gjak në kanal pas 40 minutash. Ai shpjegon, se si u manipulua akt-ekspertimi dhe drejtuesi i automjetit doli i pafajshëm.

Gazetari i “Stop”: 27 Janari i 2019-ës për familjen Xhafa do të mbetet dita më e zezë, pasi vëllai i 5 motrave Arif Xhafa, 23 vjeç, aksidentohet afër shtëpisë së tij dhe si pasojë e këtij aksidenti ai humb jetën.

I afërm: Atë ditë unë kam qenë në lokal. Kam një lokal aty. Çuni, Arifi ka qenë tek unë atë natë. Ora ishte rreth 8 pa një çerek. Në atë kohë iku bashkë me nipin. Sa e përcolla në derë unë, sa dal të mbledh filxhanët e kafesë që i kisha në tavolinë, kur kalon plumb pushke makina. Aq shpejtësi e madhe se edhe ata në lokal u habitën.

Aksidenti ka ndodhur në datën 27 janar pikërisht në aksin rrugor nga Qendra e Fierit drejt Semanit. Ky aks rrugor është problematik pasi mungojnë trotuaret, mungon sinjalistika dhe është burim aksidentesh. I riu 23-vjeçar Arif Xhafa ka marrë goditjen në këtë zonë dhe ka përfunduar në kanal”, thotë gazetari i Tv Klan nga vendi ku ndodhi aksidenti.

Babai i Arifit: Unë isha në shtëpi duke ngrënë bukë. Dëgjova një zhurmë dhe dola nga shtëpia. Gruaja kishte parë një makinë matanë koshave që kishte qëndruar, u futa prapë brenda. Errësirë ishte. Mora makinë dhe vajta tek klubi. Pyetja për çunin, kishte 20 minuta që kishte ikur. Kur u ktheva nga klubi me dritat e makinës pashë në anë të kanalit trupin e çunit. E gjeta mu atje në kanal. Tek porta e dajës së tij. E marr, e çoj në spital të mbaruar. Drejtuesi i mjetit ka qenë Ardit Balla, të cilin ne e morëm vesh më vonë. Mbas dy muajsh gjykata e nxori nga burgu. Ai i ka qenë i pirë në radhë të parë. Ai as ndihmë të parë nuk i ka dhënë, por ka fshirë edhe gjurmët e krimit. Ka vajtur në shtëpi, i ka thënë të atit që ka thyer një stop dhe ka marrë makinën në mëngjes dhe ka vajtur në punë, ashtu siç ishte. Kur ka vajtur policia atje, ka pranuar se ka bërë aksidentin e djeshëm. Dhe kur është bërë kontroll banese në shtëpinë e tij, janë gjetur rrobat me të vjella vere. Pijen e kanë manipuluar me ekspertizë. Unë nuk e lë deri në fund këtë punë. Të tërë ata që e nxorën nga burgu do të përgjigjen për këtë punë.

Rasti i aksidentit u manipulua nga prokuroria, gjykata dhe ekspertët dhe si për ironi të fatit, viktima doli fajtor.

Babai i Arifit: Është prokurore Aida Cakaj dhe Gjyqtar Taulant Banushi. Këta të dy e kanë nxjerrë sikur ka vrarë një qen dhe e gjeta çunin në kanal. Eksperti ka luajtur, ka thënë se kam gjetur ca cifla xhami dhe ka thyer një stop. Kur është thyer parakolpi, trari i makinës, xhami, është thyer pasqyra. Kur ka rënë çuni është thyer pasqyra.

Po çfarë mekanizmi u përdor për të nxjerrë fajtor viktimën?

Prokurorja Aida Cakaj vendosi të bënte një akt ekspertimi në lidhje me dinamikën e aksidentit dhe si ekspert autoteknik u caktua zoti Bardho Vushaj. Akti i ekspertimit mban datën 16 Shkurt 2019 dhe me këtë akt, i cili në përmbajtjen e tij, në total është katër fletë, mungon tabela fotografike e aksidenti dhe skema se si ka ndodhur ky aksident bëri të mundur që drejtuesi i automjetit të dalë i pafajshëm. Emisioni “Stop” ka hulumtuar në lidhje me këtë ekspert dhe rezulton se Bardho Vushaj është shefi i qarkullimit rrugor në Fier dhe nuk i lejohet të bëjë rolin e një eksperti autoteknik pasi është në funksion shef i qarkullimit rrugor. Paguhet pikërisht për këtë pozicion pune, dhe jo si ekspert.

Gjyqtari i Fierit, Taulant Banushi, ka zëvendësuar masën e arrestit të drejtuesit të automjetit nga me burg në detyrim paraqitjeje, duke marrë parasysh këtë akt ekspertimi, i cili është i paligjshëm, i cili ka gabime dhe mungesa profesionale për zbardhjen e aksidentit.  Pra në bashkëpunim, prokurorja, gjyqtari dhe eksperti bënë që viktima të dalë fajtor dhe drejtuesi i mjetit i pafajshëm.

Denoncuesi- Të nxjerrësh njeri nga burgu, të bëjë një vrasje…

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj –Ore, po nuk e kam nxjerrë unë, mo! …edhe njëherë, të lutem, n.q.s, gjykata e ka parë, që unë kam lajthitur në atë akt-ekspertimi, nuk duhet ta kishte nxjerrë.

Denoncuesi- Nuk duhet ta kishte nxjerrë?

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Absolutisht jo!

Denoncuesi- Kjo do të thotë, që edhe gjykata, edhe prokurorja, e kanë shkelur ligjin edhe ata?

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Këtë pjesë, nuk e gjykoj këtë pjesë!

Denoncuesi- Në vendngjarje është shkruar këtu, që janë gjetur vetëm disa plastika, kurse në vendngjarje, xhami ka qenë i thyer, parakolpi i makinës i deformuar, trari i makinës i deformuar…

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Makina është gjet më mbrapa, moj zonjë! Ti e ke bërë më para ekspertizën!

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Po sigurisht! Atë ditë pa u kap mjeti, ma kërkoi prokuroria ekspertizën.

Denoncuesi- Pa u kap mjeti? Pa u arrestuar personi?!

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Ore, këtë më tha prokuroria, bëj gati aktin e ekspertimit!

Denoncuesi- Ti bën akt-ekspertize, ku ky akt e ka nxjerrë atë nga burgu.

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – N.q.s, kjo akt-ekspertimi nuk ja u mbush mendjen, ju, a ku ta di unë…?

Denoncuesi- Ti po thua vetë: dëgjo zotëri, që unë, që bëra këtë akt-ekspertize, unë nuk pashë as makinë, as foto s’më erdhën…

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Të lutem, unë fotot i ka eksperti, nuk i kam unë…

Denoncuesi- Po si e bëre.. ti këtë? Tani akt-ekspertimi mesa di, i bashkëngjiten edhe fotot e makinës.

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Jo, mo! E ka eksperti atë punë, është eksperti kriminalist, që i bashkëngjit fotot e makinës, jo unë!

Denoncuesi- Ju keni të drejtë të bëni akt ekspertizë?

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Sigurisht! Jam inxhinier mekanik.

Denoncuesi- Tani në akt, a duhet të paraqiten edhe fotot e makinës?

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Ka tabela fotografike!

Denoncuesi- Ku janë?

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – E ka,… ëëë… do shkojnë bashkëlidhur dosjes! Duhet të ketë shkuar tani …!

Denoncuesi- Autori ka qwnë i dehur! Ju nuk e keni shkruar…?! Viktima Ardit Balla. Kurse viktima është vëllai im, nuk është viktima Ardit Balla!

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Po mirë mo, është ngatërruar emri, s’ka ndonjë problem, përsa kohë ,që është kjo lapsus, sepse ky sqarim, mua nuk më takon t’ja u bëj! N.q.s, nuk jeni dakord, e bëni kërkesën dhe është prokuroria ajo, që …

Denoncuesi- Ajo është pjesa jonë, këto do dalin edhe nëpër media dhe këtu citohet emri yt dhe do lexohet e gjitha dhe do marrim vesh, ke shkelur ligjin këtu, apo nuk e ke shkelur!

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – Në rregull! Në rregull!

Denoncuesi– Kaq kishim ne..!

Shefi i Qarkullimit-Ekspert Bardho Vushaj – S’ka problem…!

Pas interesimit të emisionit “Stop”, situata u kthye në favor të viktimës, pasi prokurorja e çështjes, Cakaj, vendosi kryerjen e një tjetër akti ekspertimit nga 3 ekspertë, të cilët përcaktuan se drejtuesi i mjetit ishte në shkelje dhe shkaktari kryesor i këtij aksidenti që i mori jetën 23-vjeçarit. Pas interesimit të “Stop”, drejtuesi i mjetit u arrestua.

Denoncuesi– Po tani, ne të shikojmë vrasësin të lirë, të na kalojë para shtëpisë?! Sot pikërisht, babai im e ka parë para gjykatës.

Gjykata Fier- Goca, goca, sot u bë mase e sigurimit të atij! Gjykata vendosi arrest me burg.

Denoncuesi- E arrestoi?

Gjykata Fier- Po!

Prokuroria Fier- U arrestua ai qëparë! Ik në shtëpi tani! Flini gjumë! Djali, që shkaktoi aksidentin, para dy orëve u arrestua këtu në prokurori! /tvklan.al