Mediat helene kanë publikuar detaje të reja në lidhje me ngjarjen që ka tronditur të gjithë Greqinë pas vrasjes së gazetarit Giorgos Karaivaz të premten. Publikuar pamjet se si kanë udhëtuar vrasësit, të cilët sipas hetimeve paraprake deri më tani janë dy.

Ata e kanë ndjekur gazetarin e kronikës së zezë me një motor. Drejtuesi mbante një kokore ngri, xhaketë të zezë, xhinse blu dhe këpucë të zeza.

Ndërse ekzekutuesi ka veshur një xhup gri, kapele të zezë, këpucë të zeza dhe një maskë. Ajo që venë re mediat është trupi i ekzekutorit, i cili është më i madh dhe më i përgatitur se i drejtuesit të motorit.

Ata kanë arritur në vendin ku do të kryenin krimin 10 minuta përpara shënjestrës. Vrasësit kanë pritur gazetarin të parkojë makinën dhe sapo ka dalë nga mjeti e kanë qëlluar. Sipas hetuesve, për vrasjen mund të kenë ndihmuar edhe persona të tjerë, të cilët kanë informuar për lëvizjet e gazetarit.

“Po hetojmë edhe mundësinë se pas vrasjes fshihet diçka shumë e rëndësishme. Ndoshta një mosmarrëveshje ose një episod ndaj të cilit gazetari nuk i ka kushtuar vëmendje, dhe për rezultat i ka kushtuar jetën. Ndoshta dikush ka dashur t’i mbyllë gojën sepse dinte gjëra që nuk duheshin bërë publike”, ka thënë një hetues për Protothema.

Ajo që presin autoritetet është të zbulojnë se cilët janë autorët që më pas të bëjnë të mundur gjurmimin e personit që ka porositur vrasjen. Po ashtu ata dyshojnë që vrasësit mund të jenë të huaj. Megjithatë, kjo mundësi është shumë e vogël sepse masat e pandemisë e kanë vështirësuar hyrjen e të huajve në Greqi, sipas Protothema./tvklan.al